Riorganizimi i procesit mësimor për Ramazan nxit debat për aspektin ligjor
Vendimi për ndryshim orari për shkak të Ramazanit në shkollat e kryeqytetit, ka nxitur reagime të ndryshme. Komuna e Prishtinës thotë se ndryshimi u bë me kërkesë të prindërve dhe pa i prekur orët mësimore. Por jo të gjitha shkollat kanë mundur ta zbatojnë këtë riorganizim, ndërsa ekspertë të arsimit dhe juristë kanë qëndrime të…
Lajme
Vendimi për ndryshim orari për shkak të Ramazanit në shkollat e kryeqytetit, ka nxitur reagime të ndryshme. Komuna e Prishtinës thotë se ndryshimi u bë me kërkesë të prindërve dhe pa i prekur orët mësimore. Por jo të gjitha shkollat kanë mundur ta zbatojnë këtë riorganizim, ndërsa ekspertë të arsimit dhe juristë kanë qëndrime të ndara për aspektin ligjor dhe kushtetues të vendimit.
Nga e premtja, Drejtoria Komunale e Arsimit në kryeqytet ka ndryshuar orarin e procesit mësimor, për shkak të muajit të Ramazanit. Mësimi nis e përfundon më herët. Më këtë vendim mësimi nis në orën 07:30, shkurtohet koha e mesndërrimeve dhe reduktohen pushimet e gjata. E gjithë kjo me qëllim që dita mësimore të përmbyllet në orën 17:00. Duke sqaruar se ora mësimore mbetet 45 minuta, Drejtoria e Arsimit nënvizon se programi mësimor mbetet i njëjti. Por vendimi nuk gjen zbatim në të gjitha shkollat.
“Shkolla ‘Ismail Qemali’ i ka 41 klasa, kërkon kohë edhe pastrim më të theksuar në këtë kohë të shkurtër. Duke llogaritur edhe daljen e nxënësve që gjithsej janë 1300 në ndërrimine parë, 2589 në ndërrimin e dytë të cilët pranohen edhe dalin, kjo është e pamundur me bë këtë riorganizim sepse duhet me pas staf të riorganizuar për pranimin dhe daljen e nxnënsve”, tha Mimoza Krasniqi, drejtoresh e shkollës ‘Ismail Qemali’.
Vendimi i Drejtorisë së Arsimit është mirëpritur nga Këshilli i Prindërve në Prishtinë, i cili thotë se kërkesa ka ardhur nga vetë Këshilli.
“Kërkesa ka qenë e prindërve nëse është e mundur, për arsye se një pjesë e madhe e shkollave e përfundojnë mësimin pikërisht në kohën e iftarit, një pjesë e përfundojnë pak më vonë, pikërisht ndërrimi i dytë në atë kohën e iftarit, prindërit e kanë pa pengesë për jetën e tyre dhe normalisht me mirëkuptim kemi kërkuar që mos të preken orët kurrsesi, të mos shkurtohen orët assesi, por të shkurtohet orari i pushimit të gjatë dhe orari të fillojë më herët, ku ka filluar në 7:45 të fillojë në 7:30, krejt kjo sipas mundësive të shkollave sepse ka shkolla të cilat nuk kanë mundësi me iu përmbajt këtij orari dhe normalisht kanë mbet në orarin e vjetër”, tha Nexhmi Hoxha nga Këshilli i Prindërve në Prishtinë.
E një riorganizim i llojit të tillë, për njohës të çështjeve arsimore, nuk shihet si i pazakontë.
“Përderisa nuk cenohet kohëzgjatja e procesit mësimor atëherë nuk gjykojmë që kjo në vete prezenton ndonjë shkelje, ose ishte dasht të prezentojnë ndonjë problem që të merr kaq shumë vëmendje”, tha Rinor Qehaja, njohës i çështjeve arsimore.
Sipas tij përderisa nuk ka ndonjë promovim të fesë brenda institucionit arsimor, por vetëm një ristrukturim të një orari që është bërë disa herë më herët, atëherë sipas tij nuk vlerësohet që kjo e cenon ndonjë të drejtë Kushtetuese të kujdo.
Por ndryshe e sheh situatën njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, duke nënvizuar se në këtë vendim ka elemente të shkeljes së Kushtetutës.
“Vetë fakti që nuk është respektuar Ligji i Punës, ku parashihen qartazi dhe rregullohen, edhe me akte të tjera nënligjore, të gjitha llojet e pushimeve dhe duke pasur parasysh faktin që dy nene të kushtetutës e rregullojnë çështjen e barazisë së qytetarëve para ligjit nuk është dashur të ndodhë kjo sepse ka elemente edhe të shkeljes së Kushtetutës, edhe të Ligjit të Punës”, tha Mazllum Baraliu, njohës i Kushtetutës së Kosovës.
Pavarësisht reagimeve të shumta për këtë vendim të Drejtorisë Komunale të Arsimit në kryeqytet, Ministria e Arsimit ende nuk ka dalë me qëndrim të saj. /kp