Rinumërimi i rreth 90 për qind të vendvotimeve dëmton procesin zgjedhor

Rinumërimi i rreth 90 për qind të vendvotimeve në nivel të vendit, po shihet si aspekt negativ dhe që e dëmton të gjithë procesin zgjedhor. Kjo shënon njëherësh edhe numrin më të madh të vendvotimeve të rinumëruara në një proces zgjedhor.

Lajme

14/11/2019 17:13

Në zgjedhjet e 6 tetorit në nivel të vendit kanë qenë 2 mijë e 547 vendvotime, ku nga ky numër janë rinumëruar gjithsej 2 mijë e 269 vendvotime apo rreth 90 për qind e vendvotimeve.

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ishin rinumëruar 540 vendvotime, ndërsa në vitin 2014 ishin rinumëruar rreth 530 vendvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se numri i vendvotimeve që rinumërohen pas zgjedhjeve të 6 tetorit është 2 mijë e 269 vendvotime.

“Është një numër i madh i vendvotimeve të cilat rinumërohen pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, fillimisht me vendim të KQZ-së janë rinumëruar më shumë se 840 vendvotime apo 33 për qind e vendvotimeve. Ndërsa, tani pas vendimit të PZAP ku do të rinumërohen rreth 1 mijë e 430 vendvotime apo 56.07 për qind e tyre. Pra, është një numër i madh i vendvotimeve të cilat i nënshtrohen procesit të rinumërimit. Mbështetur në këto të dhëna numri i vendvotimeve që rinumërohen pas zgjedhjeve të 6 tetorit është 2 mijë e 269 vendvotime apo rreth 90 për qind e vendvotimeve në nivel vendi”, tha ai.

Elezi ka bërë të ditur se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, janë rinumëruar 540 vendvotime, ndërsa në vitin 2014 janë rinumëruar 530 vendvotime.

“Nëse këto të dhëna i krahasojmë me ato të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 dhe 2017, ky numër është dukshëm më i madh. Në zgjedhjet e vitit 2014 janë rinumëruar rreth 530 vendvotime, ndërkaq në ato të vitit 2017 janë rinumëruar rreth 540 vendvotime”, tha ai.

Numri i madh i vendvotimeve të rinumëruara po shihet si aspekt negativ dhe që po e dëmton të gjithë procesin zgjedhor.

Profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se rinumërimi i rreth 90 për qind e vendvotimeve e vë në dyshim dhe e degradon procesin zgjedhor.

“Procesi i zgjedhjeve të 6 tetorit në fakt është vënë në dyshim dhe është degraduar dhe diskredituar në masë të paimagjinueshme, thjeshtë brengosëse sepse del që një proces i cili është vlerësuar shumë demokratik, si shumë i drejtë dhe shumë korrekt, me pjesëmarrjen masive dhe me një rezultat të jashtëzakonshëm të rotacionit dhe të ndryshimit. Tani më pas një muaji e sipër zvarritjesh po del që ka qenë një proces i cili i ka pasur dritëhijet e tij  dhe se me këtë rinumërim gjithsesi ai po diskreditohet, si dhe po cenohet integriteti i tij në masë të konsiderueshme”, tha ai.

Baraliu thotë se zgjidhja më e mirë e kësaj problematike është që numërimi i votave të kandidatëve të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe jo në vendvotime.

“Ky sistem i numërimit do të duhej të ndryshojë dhe kjo mund të bëhet edhe pa ndryshim të kushtetutës, pra me ndryshim dhe plotësim të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, për zgjedhjet lokale. Do të duhej që numërimi i subjekteve politike të bëhet në vendvotime, ndërsa numërimi i kandidatëve të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ose që i tërë procesi të shkojë në QNR, ku ka mundësi për transparencë më të madhe”, tha ai.

Se rinumërimi i pothuajse të gjitha vendvotimeve e dëmton procesin zgjedhor e thotë edhe analisti politik Rasim Alija, sipas të cilit ky rinumërim ka bërë që qytetarët ta perceptojnë se procesi zgjedhor ka qenë i manipuluar.

“Çka ka shkaktuar procesi i numërimit dhe rinumërimit e ka krijuar perceptimin që procesi zgjedhor është dëmtuar. Është dëmtuar në dy faza, edhe në integritetin si proces, mirëpo, edhe në perceptimin e qytetarëve që procesi zgjedhor ka qenë i manipuluar. Jo rastësisht kemi gjithë këto ankesa dhe jo rastësisht kemi fazat e procesit të numërimit dhe rinumërimit aq më shumë duke e pasur parasysh se në nivel vendi pothuajse 90 për qind e vendvotimeve kanë shkuar drejtë rinumërimit. Kjo e vonon edhe procesin e formimit të institucioneve, mirëpo krejt çka mund të themi është që duhet të adresohet në reformën zgjedhore”, thotë ai.

Zvogëlimin e numrit të vendvotimeve që rinumërohen Alia e sheh si zgjidhje reformën zgjedhore. Ai thotë se reforma zgjedhore duhet ta shtyjë idenë e numërimit të dyfishtë.

“Reforma zgjedhore duhet të shkojë të shtyjë idenë e numërimit të dyfishtë me automatizëm. Atëherë do të mund të eliminonim pjesën e pritjes së vendimeve edhe nga PZAP dhe Gjykata Supreme edhe vendimet e KQZ-së. Ta dinë edhe elektorati, votuesi që në start bëhet numërimi i dyfishtë, kjo e ulë edhe pjesën tjetër të manipulimit të votave dhe nuk vijmë në fazën siç kemi ardhur tani që rezultati zgjedhor reduktohet në vendime gjykatash”, thotë ai.

Kujtojmë se mbrëmë ka filluar procesi i rinumërimit të 1 mijë e 428 vendvotimeve pas vendimit që ka marrë Paneli për Ankesa dhe Prapashtesa.