Rinia, burimi më i rëndësishëm natyror
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, ka qenë pjesë e një konference lidhur me teknologjinë informative, me ndërmarrës, studentë e investitorë, që u mbajt të premten në Prishtinë.
Lajme
Jacobson në këtë takim me zyrtarë të teknologjisë informative nga Ballkani dhe më gjerë ka thënë se kur pyetet për resursin më të madh natyror në Kosovë, ajo përgjigjet se ai është rinia kosovare e palodhshme në punë dhe me njohuri në fushën e teknologjisë.
Ambasadorja amerikane ka thënë se konferencat e hershme të ngjashme me këtë që janë mbajtur në Tbilisi e Sarajevë kanë vënë standard të lartë për cilësinë informative dhe kontakteve që janë mbajtur atje.
“Më vjen mirë që kjo konferencë përputhet edhe me konferencën kryesore të Kosovës për TIK duke i bërë bashkë sipërmarrësit inovatorë nga tërë rajoni”.
“Ju keni treguar se keni mundësi t’i shfaqni programet si Skype, Nortea, Prezi dhe shpresoj ndërmarrja e ardhshme e madhe do të krijohet në Kosovë”.
“Kur njerëzit më pyesin: ambasadore cilat janë resurset natyrore të cilat i ka Kosova gjithmonë e them se burimi më i rëndësishëm natyror është të rinjtë shumë punëtorë e të njoftuar mirë me teknologjinë informative. Dhe, besoj se të gjithë do të vazhdoni të punoni për sektorin e TIK-ut”, tha Jacobson para të pranishmëve.
Ambasadorja dha mbështetjen e saj përmes projektit të USAID-it për fuqizimin e sektorit privat, për t’i ndihmuar ndërmarrjet në gjetjen e mundësive konkrete afariste dhe përmes programit për rritje ekonomike rajonale.
Po ashtu, ajo tha se pret të dëgjojë se çka do të krijojnë bashkërisht përmes kontakteve që po vënë ndërmarrësit përmes konferencës në fjalë.