Rimobilizim në Gjilan
Hashim Thaçi në Gjilan rifillon fushatën për Qemajl Mustafën me një varg kritikash ndaj Lutfi Hazirit. Thotë se Gjilanit po i kanoset e keqja dhe ajo duhet penguar.

Lajme
Hashim Thaçi ka rifilluar përpjekjet për ta rikthyer primatin e PDK’së në Gjilan, pas rezultatit zhgënjyes për këtë parti në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, Lutfi Haziri i LDK’së doli me një epërsi të konsiderueshme prej gati 7 mijë votash në krahasim me Qemajl Mustafën e partisë së Thaçit, PDK’së.
Haziri dhe Mustafa do të përballen sërish, dhe për të fundit herë, në garën e balotazhit më 1 dhjetor kur do të dihet se në duar të kujt do të jetë Gjilani në katër vjetët e ardhshme.
Marrë parasysh rezultatin e dobët më 3 nëntor, Thaçi ka kërkuar nga aktivistët e PDK’së angazhim maksimal në një takim, i cili u quajt rimobilizues.
Ai ka kritikuar të kaluarën e Lutfi Hazirit.
“Duhet penguar të keqen që po i kanoset Gjilanit nga njeriu që nuk bëri asgjë për Gjilanin, nga njeriu që u tall dhe i fyeu veteranët e luftës së UÇK’së duke i quajtur rrugaçë, i fyeu të burgosurit politikë duke i quajtur ‘robiashë’, i fyeu familjet e dëshmorëve dhe çdo gjë që është vlerë e jona e përbashkët, vlerë e këtij qyteti”, tha Kryetari i PDK’së Hashim Thaçi, raporton Rajonipress.
“Ju, nuk guxoni ta lejoni këtë të keqe që qytetin tuaj e kthen prapa, atje ku ishte në vitin 2004 e 2005. Ju të nderuar aktivistë të devotshëm të Partisë Demokratike nuk guxoni të lejoni nëpërkëmbjen e qytetit tuaj të bukur të Gjilanit, të ndërtuar me mund e djersë nga PDK dhe qytetarët e Gjilanit”.
“Gjilani duhet të ec drejt një qyteti europian me Partinë Demokratike të Kosovës dhe qytetarët e saj. Nuk është në pyetje më partia e as Qemajl Mustafa, por shpëtimi i Gjilanit nga më e keqja”.
“Ne do të kemi partnerë me të cilët do të fitojmë më 1 dhjetor”, ka thënë Kryeministri Hashim Thaçi.
Kandidati për Kryetar Qemajl Mustafa, siç raporton Rajonipress, ka thënë se për balotazh PDK ka mbështetje nga elektorati që vjen nga gjitha subjektet politike.
Ai ka folur madje për mbështetje edhe nga aktivistët e LDK’së.
“S’ka dyshim se ne do të jemi fitues të përbashkët të Gjilanit bashkë me qytetarët tanë”.
“Kudo në hapësirën e Gjilanit po vërehet fryma fituese e Partisë Demokratike, aradhet e së cilës po shtohen në çdo çast”, ka thënë Mustafa.