Rikthehen të shtënat në ahengje, policia në aksion

Stina e verës bashkon familjet në Kosovë. Kjo bënë që edhe ahengjet familjare të jenë më të shpeshta në këtë kohë.

Lajme

20/07/2019 12:09

Edhe pse policia po apelon që mos të ketë të shtëna me arme në ahengjet familjare, kosovarët nuk e kanë ndërmend t’i shmangën traditës.

Tri raste i ka identifikuar policia vetëm gjatë ditës së djeshme, raporton lajmi.net.

Në Ferizaj është arrestuar një person pasi që i njëjti në një aheng familjar kishte shtënë në ajër me pistoletë. Pistoleta me gaz dhe katër gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa me  vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, në Pejë është arrestuar një person pasi që i njëjti gjatë një ahengu familjar kishte shtënë me armë zjarri në ajër. Nga i dyshuari është konfiskuar një revole dhe 36 fishkë të kalibrit 9mm për të cilën i dyshuari kishte leje. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Edhe në Istog është intervenuar në një rast.

“Istog 18.07.2019 – 22:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi i njëjti kishte shtënë me armë zjarri në ajër. Nga i dyshuari është konfiskuar një revole dhe dy fishekë të kalibrit 9mm. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin ditor të policisë. /Lajmi.net/