Riformatim për Forcim

Arben Gashi mohon që ndonjë Degë e LDK’së në Prishtinë të ketë kërkuar dorëheqjen e Isa Mustafës, pas humbjes në Kryeqytet. Ai thotë se pas këtyre zgjedhjeve duhet parë më tutje dhe përmend një riformatim të partisë, me qëllim forcimin e saj.

Lajme

12/12/2013 06:14

Humbja e dhimbshme në Prishtinë duket se po i shërben për reflektim Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo parti në zgjedhjet e fundit rriti votën elektorale në krahasim me zgjedhjet tjera dhe arriti t’i fitojë disa komuna të rëndësishme në nivel vendi, si Pejën, Gjilanin dhe Ferizajn, por lideri i saj, Isa Mustafa, e humbi betejën kryesore – Prishtinën.

Dega e Tretë e LDK’së në Prishtinë, siç është raportuar në media, ka kërkuar përgjegjësi konkrete nga Isa Mustafa për humbjen e Kryeqytetit dhe ka kërkuar edhe dorëheqjen e tij nga pozita e Kryetarit të partisë, si dhe dorëheqjen e Sami Hamitit nga të gjitha përgjegjësitë partiake.

Por, një gjë e tillë mohohet nga deputeti Arben Gashi.

Ai thotë për lajmi.net se asnjë kërkesë të tillë nuk ka pasur nga kjo Degë dhe nga asnjë Degë tjetër e LDK’së.

“Ajo që po thuhet nuk është aspak e vërtetë”.

“Nuk ka pasur asnjë kërkesë të tillë”.

Gashi mendon se pas këtyre zgjedhjeve duhet parë më tutje dhe përmend një riformatim të partisë, me qëllim forcimin e saj.

“Duhet të bëhen llogaritje, duhet të shihet”.

“Kjo nuk është çështje e dorëheqjes apo prerje e kokës, por është çështje e riformatimit për të forcuar partinë”, thotë Gashi për lajmi.net.

Deputeti i LDK’së thotë se kjo parti humbi në Prishtinë pasi të gjitha partitë tjera u bënë bashkë kundër saj.

“Të gjitha partitë u bënë bashkë në balotazh dhe për këtë arsye ne humbëm”.

Përveç deputetit Gashi, deri tash, asnjë zyrtar tjetër i LDK’së nuk ka folur për nevojën e riformatimit të partisë, sidomos pas humbjes në Prishtinë.