Rifat Jashari nderon dëshmorët e Gllogjanit

Homazhe dhe nderime u bënë sot në varrezat e 85 dëshmorëve të Gllogjanit në Deçan. Të pranishëm përpos familjes Haradinaj, homazhe tek varrezat e dëshmorëve kanë bërë qytetarë të shumtë nga të gjitha anët e Kosovës.

Lajme

24/03/2016 15:28

Për të bërë nderime në Gllogjan sot ishte edhe vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari.

Ai bashkë me kryefamiljarin e familjes Haradinaj, Hilmi Haradinajn, në praninë e Gardës Ceremoniale të FSK-së, nderuan dhe vënë lule pranë varreve.

Më 24 Mars të vitit 1998, kishte nisur lufta e hapur në Dukagjin, kundër forcave serbe, e prirë nga familja Haradinaj në Gllogjan.

Gllogjani i Haradinajve ishte fronti i parë i hapur kundër Serbisë pas atij të Jasharajve të Prekazit. Lufta e Gllogjanit do të bënte që forcat ushtarako-policore serbe të çorientoheshin dhe kështu meqë fronti po hapej edhe në një pikë tjetër të Kosovës.

Kjo luftë do bënte që një vit më vonë nga Gllogjani, më 24 Mars të vitit 1999, Aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit NATO, të niste bombardimet mbi caqet serbe në ish-Jugosllavi, duke i dhënë fund terrorit serb në Kosovë. /KosovaPress