Rezultojnë pozitivë 24 pasagjerë që kanë udhëtuar nga Shkupi në Turku të Finlandës

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, ka njoftuar se asnjë nga udhëtarët që kanë fluturuar nga Aeroporti i Shkupit për në Turku të Finlandës, nuk kanë pasur vendim për vetizolim nga ana e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor të Maqedonisë së Veriut.

Lajme

11/08/2020 14:05

“Ministria e Shëndetësisë, njofton se tashmë janë verifikuar të gjithë udhëtarët e avionit për në Finlandë. Asnjëri nga ata nuk është regjistruar në bazën për raste pozitive me COVID-19 në shtetin tonë, që do të thotë nuk ka vendim për izolim si pozitiv nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Të hënën, ministrja për Çështje Sociale dhe Familjare e Finlandës, Krista Kiuru, ka bërë të ditur se Finlanda do të vendosë masën e testimit të detyrueshëm për COVID-19 dhe vetizolimit për udhëtarët që vijnë nga vendet me rrezik të lartë, pasi nga 157 pasagjerët që po ktheheshin nga Shkupi, 24 kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Sipas autoriteve të Maqedonisë së Veriut, shumica e pasagjerëve në këtë fluturim kanë udhëtuar me pasaportë të Kosovës dhe Suedisë.

“Në bazë të të dhënave, në fluturimin e përmendur, pjesa më e madhe e udhëtarëve kanë udhëtuar me pasaportë të Kosovës (95), pasaportë finlandeze (60), ndërkaq të tjerët janë 2 me pasaportë të Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Estonisë dhe Suedisë”, kanë thënë autoritetet maqedonase. /REL