Rezultatet sot

Fletëvotimet e tri vendvotimeve, nga të cilat do të dalë Kryetari i Mitrovicës së Veriut, kanë arritur në Fushë-Kosovë rreth orës 22:00. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve të përsëritura do të shpallen sot në mëngjes.

Lajme

17/11/2013 23:10

Fletëvotimet që do ta nxjerrin Kryetarin e Mitrovicës Veriore, pasi qytetarët dhanë votën e tyre në zgjedhjet e përsëritura, kanë arritur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë Kosovë, natën e së dielës, rreth orës 22:00.

Rezultatet zgjedhore, siç është njoftuar, pritet të shpallen sot në mëngjes.

Fillimisht ishte paraparë që votat të numëroheshin në tri vendvotimet ku janë zhvilluar zgjedhjet, por në fund është vendosur që materiali zgjedhor të transferohej në QNR, në periferi të Prishtinës.

Duke qenë se janë vetëm tri qendra të votimit, Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se kanë vendosur që rezultatet do t’i japin ata vetë, e jo përmes projektit K-Votë.

“Kemi vlerësuar të gjithë situatën, faktikisht është bërë vlerësimi edhe nga OSBE, që e kanë rolin e lehtësuesit, dhe kanë konsideruar se megjithatë, përkundër të gjitha përpjekjeve, të numërohen fletëvotimet në QNR.”

Daka, duke njoftuar se pas mbylljes së vendvotimeve në Veriun e Mitrovicës, kanë marrë informatën se ka filluar të ndalet rryma, transferimin e materialit zgjedhjor në QNR e kanë kosnideruar si një vendim të mirë.