Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit, ku deri tani janë procesuar mbi 23 për qind e kutive të votimit.
Sipas të dhënave të deritanishme, janë bërë të ditura edhe rezultatet për disa kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni me partinë Guxo.
Osman Musliu ka marrë 5 mijë e 480 vota, duke u renditur ndër kandidatët më të votuar në këtë fazë të numërimit.
Kandidatja Adelina Tërshana, e cila garon për herë të parë ka siguruar 2 mijë e 438 vota, ndërsa Hysni Mehani ka marrë 1 mijë e 918 vota. Të dy kandidatët janë përfshirë në këtë garë zgjedhore me vëmendje të shtuar publike për profilin e tyre politik dhe angazhimet e mëhershme.
Ndërkohë, Fatos Geci nga partia Guxo, që garon në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ka marrë 1 mijë e 670 vota dhe aktualisht mbetet në rrezik për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ai më herët ishte bërë pjesë e debatit publik pas deklaratave të tij në Kuvend, ku kishte krahasuar ish-presidentin Hashim Thaçi me Naim Murselin, deklaratë që kishte nxitur reagime të shumta.
Procesi i numërimit të votave po vazhdon, ndërsa pritet që rezultatet e ardhshme të japin një pasqyrë më të qartë për përbërjen e Kuvendit të ri të Kosovës. /Lajmi.net/