Rezultate befasuese në ndeshjet e sotme të Superligës
Vushtrria e ka befasuar Ballkanin në ‘Ferrki Aliu’, duke e mposhtur me rezultat minimal 1:0.
Sport
‘Portokallinjtë’ nuk kanë mundur të shfrytëzojnë gabimin e ndjekësve më të afërt, Dritës, Gjilanit e Prishtinës.
Kështu, Bajram Shala (33’) nga pika e bardhë i siguroi ekipit të tij tre pikë mjaft të rëndësishme për ekzistencë, shkruan lajmi.net.
Ballkani mbetet në vendin e parë me 34 pikë, kurse Vushtrria në pozitën e parafundit me 15 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Feronikeli është kthyer te fitorja pasi mundi 4:2 Dukagjinin.
Haxhi Neziraj (2’), Albert Dabiqaj (22’), Mevlan Zeka (47’) dhe Carioca (84’) shënuan për vendasit, kurse Jeton Dushi (27’) e Mark Milicaj (33’) realizuan për klinasit.
Skuadra nga Drenasi tani tubon 27 pikë në vendin e pestë, teksa Dukagjini me tetë pikë mban pozitën e fundit.
Rezultat befasues ka patur edhe në Skenderaj, ku Drenica është mposhtur 0:2 nga Ferizaji.
Dardan Qerkimi (20’) dhe Burim Qerkini (40’) i dhanë fitore udhëtuesve, që tani renditen në pozitën e 10-të me 18 pikë, kurse drenicasit me 24 pikë mbesin në pozitën e gjashtë. /Lajmi.net/