Rezoluta serbe nuk mund t’i ndryshojë marrëveshjet
Rezoluta serbe e paralajmëruar për Kosovën, nuk do të ketë mundësi të ndikojë në dialogun e Brukselit, vlerësojnë analistë kosovarë. Afrim Hoti, vlerëson se nuk mund të ketë ndryshim të njëanshëm të Marrëveshjes së 19 prillit.
Lajme
Miratimi eventual i një rezolute të re të Serbisë për Kosovën, nuk mund të ndikojë në ndryshimin marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, vlerësojnë ekspertët e së drejtës ndërkombëtare dhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Autoritetet serbe kanë theksuar se me një rezolutë të re për Kosovën do të vazhdonte procesi i normalizimit të raporteve, siç kanë thënë ata, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Por, sipas tyre, rezoluta e re do të miratohet “për shkak të ndryshimit të disa rrethanave dhe hapjes së çështjeve të reja”, me të cilat nënkuptohet reduktimi dhe transformimi i misionit të EULEX-it pas 15 qershorit, si dhe paralajmërimi për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se nuk mund të ketë ndryshim të njëanshëm të Marrëveshjes së 19 prillit, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të cilën ai e cilëson si marrëveshje ndërkombëtare.
“Asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të ndryshohet pa pajtimin e të dyja palëve. Në këtë rast, kur kemi dy e më tepër palë, paraprakisht edhe pse iniciohet procedura nga njëra palë, atëherë duhet të merret edhe pozicioni i palës tjetër, për t’u futur në ndryshimin e dispozitave të marrëveshjes”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Profesor Hoti beson se paralajmërimet e autoriteteve serbe për rezolutë të re, më tepër kanë përmbajtje të natyrës politike dhe janë për konsum të brendshëm.