Rezoluta nuk mjafton, duhet plan emergjent qeveritar për migrimin ilegal

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke folur për migrimin ilegal nga Kosova drejtë vendeve tjera evropiane, ka thënë se humbja e njerëzve është gjëja më e vëshirë që mund t’i ndodhë një populli.

Lajme

26/01/2015 14:28

Përmes foltores së Kuvendit, Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria që të mos e minimizoj problemin e migrimit, por të mundohet të sanojë gjendjen, duke thënë se për këtë çështje duhet një plan emergjent.

“E para, a ka diçka më të madhe dhe më të vështirë që mundet me i ndodhë një populli sesa humbja e njerëzve. Në luftë, kur (forcat serbe) ua digjnin shtëpitë, ne iu thoshim qytetarëve ‘ua marrshin të ligat, mirë që jeni ju shëndosh’. Çka t’i themi sot popullit tonë?”.

“A t’i themi popullit, ‘ishalla i keni shtëpitë, se njerëzit po shkojnë’? Jo, nuk është mirë të minimizohet tema dhe të relitavizohet. Ajo që po ndodh sot është se ‘Qeveria Thaçi’ që ka qeverisur qysh prej pavarësisë ka dështuar t’ia jep popullit shpresën e ndryshimit, dhe tash po e shihni ikjen. Andaj merrni këto fjalë seriozisht”, ka thënë Haradinaj.

“Pasojat duhet sanuar, por duhet marrë me shkaqet. Të gjithë kemi detyrë dhe përgjegjësi. Duhet identifikuar se pse po ikin njerëzit, duhet kthyer shpresa në institucione. Plan emergjent, rezoluta është e mirë, por duhet plan emergjent. Të paktën të mundemi t’i përmirësojmë trendet. Mos i neglizhoni kërkesat e qytetarëve pavarësisht se ato mund të jenë të rënda”.

Haradinaj i ka bërë thirrje edhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e liberalizimit të vizave.

“Unë i bëjë thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë MSA-në, liberalizimin e vizave. Nuk duhet ndëshkuar dy milionë qytetarë, por duhet ndëshkuar përgjegjësit. Qëllimi ynë si AAK është të japim një alternativë me atë që po i ndodhë vendit dhe që të gjendet një zgjidhje adekuate”, ka thënë lideri i AAK-së.