Rezoluta e Vetëvendosjes për çështjen e Gjykatës speciale

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka përgatitur një Rezolutë për çështjen e Gjykatës speciale, e cila pritet të propozohet për votim në seancën e sotme parlamentare.

Lajme

23/04/2014 12:41

Rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje:

Në bazë të Nenit 65, paragrafi 1, të Kushtetutës së Kosovës dhe në bazë të Nenit 52, paragrafi 2, të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! fton deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të votojnë mocionin përmbajtësor si në vijim:

R E Z O L U T Ë

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon refuzimin e çdo kërkese që pret nga Kosova pëlqimin për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë jashtë sistemit të brendshëm të drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës të mos marrë pozicion apo të diskutojë zyrtarisht mbi këtë temë pa marrë pëlqimin me votim të Kuvendit.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës i bën thirrje zyrtarisht Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të unifikojë qëndrimet e veprimet me Kuvendin e Republikës së Kosovës në refuzimin e kërkesës për ngritjen e Gjykatës Speciale si dhe dhënien e mbështetjes për sistemin e brendshëm të drejtësisë në Kosovë. Ngarkohet kryesia e Kuvendit ta komunikojë dhe bashkërendojë këtë kërkesë.

4. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës të bashkërendojë veprimet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë në lidhje me kundërshtimin e kërkesës për formimin e Gjykatës Speciale.

5. Raporti i hetimeve të Clint Williamson, Prokuror i Task Forcës për Hetime Speciale në lidhje me pretendimet e Senatorit Dick Marty, të përfshira në Dokumentin 12462 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i datës 7 janar 2011, duhet të trajtohet nga Prokuroria e Kosovës. Institucionet shtetërore të Kosovës do ta mbështesin dhe përkrahin Prokurorinë e Kosovës, do t’i vihen asaj në shërbim për të gjitha nevojat si dhe shprehin gatishmërinë për bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë.