Rexhepi: PDK e gatshme për kompromis

Nënkryetari i PDK-së, Bajram Rexhepi ka thënë se partia e tij është e gatshme të bëjë kompromis me ndonjë parti të Bllokut për postin e Kryeparlamentarit vetëm që të dilet nga kjo situatë e bllokadës politike, por jo edhe për atë të Kryeministrit.

Lajme

28/10/2014 20:15

Gjatë një interviste dhënë për RTV21, Rexhepi i ka quajtur partitë e Bllokut LAN-VV parti bllokuese në krijimin e institucioneve.

Ai tha se nëse nuk formohen institucionet sa më parë, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje, për të cilat thotë se PDK është e gatshme.

Rexhepi si alternativë për formimin e institucioneve e sheh koalicionin PDK-LDK.

“U bën pothuajse pesë muaj që kur u mbajtën zgjedhjet dhe ende nuk janë formuar institucionet e vendit. Bllokada për formimin e institucioneve u bë nga ndarja e dy taboreve politike PDK-së, si parti fituese e zgjedhjeve, dhe e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe VV-ja, të cilat nuk po i harmonizojnë qëndrimet për të gjetur ndonjë zgjidhje të kësaj situate”.

Nënkryetari i PDK-së vonesën e krijimit të institucioneve e sheh si ngecje të shumë proceseve në interes për vendin.

Ai thotë se roli i Presidentes në këtë situatë është i nevojshëm, e cila po përpiqet që t’i afrojë liderët në një tavolinë për përafrimin e qëndrimeve në gjetjen e ndonjë zgjidhjeje për dalje nga kjo situatë.

Por, Rexhepi nuk është optimist se partitë që janë bërë bashkë kundër PDK-së do të ndryshojnë qëndrimet e tyre. Ai thotë se kjo situatë po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Për t’u shpëtuar zgjedhjeve dhe për të dalë nga kjo bllokadë e krijuar politike, Bajram Rexhepi thotë se alternativa më e mirë është mundësia e krijimit të një koalicioni mes partive më të mëdha, PDK-së dhe LDK-së. Sipas tij, kjo do të prodhonte një pozitë, por edhe një opozitë të qëndrueshme, raporton RTV21.