Rexhepi: 17 aksidente trafiku me të vdekur në shtator

Jeton Rexhepi, zyrtar i Policisë së Kosovës ka thënë se sivjet ka pasur më shumë aksidente se sa në të njëjtën kohë të vitit të kaluar.

Lajme

21/09/2015 23:57

Në një lidhje direkte në Klan Kosova ai ka theksuar se shkaktar i aksidenteve me viktima në njerëz, kryesisht janë mosrespektimi i rregullave të komunikacionit dhe shpejtësia e madhe.

“Nëse krahasohet periudha e këtij viti me atë të atij që lamë pas, aksidentet kanë shënuar rritje. Muaji shtator ka ardhur me një gjendje më të rënduar sa u përket aksidenteve në trafik”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar gjatë muajit shtator kemi pasur 10 aksidente kurse sivjet kjo shifër ka shkuar deri në 17”, ka shtuar Rexhepi.

“Shkaktar i aksidenteve në komunikacion është shpejtësia e madhe dhe tentim tejkalimet. Rreth 80% e aksidenteve ndodhin për këtë arsye, ndërsa rreth 7% për shkak të kthimit të ndaluar”.

Rexhepi ka theksuar se policia po bën përpjekje që përmes fushatave të ndryshme ta rritë vetëdijen te shoferët që të kenë kujdes dhe të mos i rrezikojnë as pjesëtarët e tjerë në komunikacion.

“Janë bërë disa video dhe fletëshpalojse për të pasur kujdes. Ne po përpiqemi që përmes një fushate sensibilizuese të ndikojmë tek shoferët që gjatë vozitjes të kenë kujdes dhe tu përmbahen rregullave të paracaktuara të trafikut”.