Rexhep Qosja: Akademikët kosovarë antikombëtarë

Rexhep Qosja i quan antikombëtarë akademikët kosovarë, të cilët sipas tij, duan standard gegërisht. Akademik Qosja thotë se gegërishtja nuk mund të jetë standard, pasi ka komb shqiptar, por jo kosovar. Akuzon 'Klanin preshevar' të Akademisë për bashkëpunim.

Lajme

14/03/2014 13:03

Akademiku Rexhep Qosja deklaron se akademikët kosovarë janë antikombëtarë, pasi duan standard gegërisht.

E sipas tij, gegërishtja s’mund të jetë standard, pasi ka komb shqiptar, por jo kosovar.

“Autori i 55 pyetjeve tregon qartë se sa pak, se sa aspak dëshiron bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Grupi i akademikëve inferiorë që predikonin ku belbëzueshëm e kur zhurmshëm krijimin e kombit kosovar dhe të gjuhës së tij standarde gegërishte”,shprehet akademiku në Gazetën Shqiptare.

“Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do të bënte mirë që t’i propozonte Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që të krijohet një këshill i përbashkët i dy akademive tona, i cili do të merrej si me hartimin e programit të veprimtarisë kërkimore shkencore dhe profesionale njëvjeçare të akademive, ashtu edhe me hartimin e programit shumëvjeçar dhe të merret me hartimin e këtyre programeve për dy arsye kryesore: e para që të caktohen me program prioritetet kërkimore shkencore dhe profesionale të të dy akademive dhe, e dyta, që të mos përsëriten të njëjtat punë kërkimore shkencore dhe profesionale në Shqipëri e në Kosovë”.

Në gjykimin e akademikut Qosja, akademikët shqiptarë nuk tregojnë aspak superioritet ndaj atyre kosovarë.

“Jo. Intelektualët dhe politikanët e Shqipërisë, qoftë edhe Sali Berisha i hallakatur, kudo e kurdo tregojnë mirësjellje dhe modesti të theksuar ndaj nesh, shqiptarëve të Kosovës, që është virtyti gjithnjë i dukshëm i kulturës së tyre dhe i bashkëbisedimit të tyre me të tjerë – shqiptarë a jo shqiptarë”.

“Unë mund të them se prej tyre, sidomos prej baballarëve të historisë dhe të kulturës shqiptare, kam mësuar shumë edhe si drejtor i Institutit Albanologjik, edhe si studiues shkencor a krijues letrar. Dhe për këtë u jam mirënjohës përjetë. Ata, të gjithë, qoftë studiues, qoftë shkrimtarë, qoftë krijues të tjerë, qoftë politikanë, qoftë publicistë, qoftë gazetarë janë vetje me kulturë të gjithanshme, me dije enciklopedike, me qytetari përshtypjebërëse, me dhunti të jashtëzakonshme shkrimi e gojëtarie”, deklaron akademiku Qosja.

Po ku ndodhet Klani uzurpues i ASHAK’ut për konfliktin e interesit dhe korrupsionin? pyet Qosja dhe jep këtë përgjigje.

“Po të lodhej dhe po të frikësohej prej shkeljes së ligjit dhe të Kushtetutës së Kosovës nuk do ta çonte përfaqësuesin e vet në Qeverinë e Kosovës për të pyetur se cilin anëtar të Partisë Demokratike do të donin t’ua pranonin anëtar të Akademisë? Dhe shakasë që zyrtari i Qeverisë do të bëjë me këtë të dërguar, Kryesia e Akademisë do t’i përgjigjet me një konflikt të ri të interesit: me pranimin e Arsim Bajramit anëtar Akademie edhe pse ai është deputet i ngarkuar edhe me një varg detyrash të tjera qoftë në Kuvendin e Kosovës, qoftë në Partinë Demokratike të Kosovës, qoftë në një varg fakultetesh, ku e shpjegon “drejtësinë” e sotme demokratike në Kosovë e në Shqipëri!”.

“Po të lodhej për konfliktin e interesit Klani preshevar në fjalë nuk do ta bënte “përkthyese” të vet pikërisht një banore të Luginë së Preshevës dhe nuk do ta privatizonte banalisht edhe Katedrën e Kimisë, Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare me farefis të vet, bija e dhëndurë të grupit të sipërpërmendur!”.

Rexhep Qosja thotë tutje se nuk është pajtuar dhe vazhdon të mospajtohet me refuzimin e ASHAK’ut që të bashkëpunojë me Institutin Albanologjik të Prishtinës, për çka është protestuar sa e sa herë si në Institut ashtu edhe më gjerë.

“ E refuzon udhëheqja e Akademisë këtë bashkëpunim për hir të interesave afatgjata personale, të personave të Klanit preshevar, por edhe për të keqen shkencore, artistike, kulturore dhe politike të Kosovës!”

 (Shkrimin e plotë e gjeni këtu: http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=145444)