“Revolucioni i Kadifenjtë” dhe heroi i tij

Republika e Çekisë ka filluar të hënën manifestimet që shënojnë 25 vjetorin e rënies së komunizmit, i njohur si ‘Revolucioni i Kadifenjtë’, të cilit i priu heroi i këtij revolucioni dhe i të drejtave të njeriut, ish presidenti Vaclav Havel.

Bota

17/11/2014 11:41

Në kuadër të festimeve të shumta në Çeki, në qendër të vëmendjes do të jetë pikërisht ish presidenti Havel dhe guximi i tij për të dalë në anën e protestuesve përballë një regjimi vrastar të dirigjuar nga ish-Bashkimi Sovjetik.   

Kryeministri çek, Bohuslav Sobotka do të shkojë në Washington, pasi edhe në Kongresin amerikan do të bëhet sot zbulimi i bustit të Havelit, njeriut që ishte përkrahës i madh edhe i clirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

Më 17 nëntor të vitit 1989, një protestë studentore në Pragë, e cila u shpërnda me dhunë nga policia, shkaktojë rënien e komunizmit në shtetin e atëhershëm të quajtur Çekosllovaki.

Dramaturgu disident, laureati i çmimit Nobel për Paqe dhe heroi i Revolucionit të Kadifenjtë, Havel u angazhua për ndarje pa dhunë të Çekosllovakisë, ndërsa shërbeu si president i Çekisë nga viti 1989 deri më 2003.

“Në dëshirojmë të jetojmë në një Çekosllovaki të lirë, demokratike dhe prosperuese. Ne dëshirojmë të kthehemi në Evropë dhe nuk do të heqim dorë kurrë nga idealet tona, pavarësisht se çka ndodh në ditët e ardhshme”, pjesë e fjalimit të Havelit që iu drejtua një turme prej më shumë se 300 mijë personash që ishin në sheshin kryesor të Pragës, më 23 nëntor të vitit 1989.

Havel ishte presidenti i fundit i Çekosllovakisë, presidenti i parë i Republikës Çeke, i shpërblyer me shumë çmime ndërkombëtare, si dhe autor i shumë veprave të përkthyera në gjuhë të ndryshme botërore.

Disidenti çek, për opinionin kosovar njihet si mbështetës i madh i pavarësisë dhe si një nga figurat me renome botërore që bëri thirrje të ndalej dhuna e regjimit serb në Kosovë në fund të viteve ’90-të.

Për kontributin e tij për Kosovën, Havel është nderuar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova”, që është ndarë nga ish-presidenti, Fatmir Sejdiu.

Havel vdiq në moshën 75 vjeçare më 18 dhjetor 2011 pas një sëmundje të keqe.