Revolucioni i ha bijtë e vet

Isa Mustafa kërkon votën e qytetarëve të Prishtinës, duke vlerësuar se qeverisja e tij është më e mira. Ai e tha edhe këtë fjali: “Ata që kërkojnë alternativë tjetër, ata pastaj ballafaqohen me revolucionin. E, revolucioni, thonë, i ha bijtë e vet\".

Lajme

26/10/2013 14:25

Isa Mustafa, në një takim me elektoratin e tij në Lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, të shtunën, ka deklaruar se duhet votuar qeverisja e LDK’së.

Ai ka thënë se qeverisja e LDK’së në Prishtinë është shembulli më i mirë i qeverisjes lokale, e kush do tjetër alternativë tjetër “ata pastaj ballafaqohen me revolucionin, e revolucioni thonë i ha bijtë e vet.”

“Pa marrë parasysh se çfarë individët mendojnë, unë ju them juve se Prishtina është shembulli i qeverisjes së mirë për krejt pushtetet komunale në Kosovë”, është shprehur Mustafa.

“Pse po e them këtë? Sepse, të gjitha investimet kapitale që i kemi bërë në Prishtinë, asnjë s’e kemi bërë pa i siguruar mjetet, që te komunat të tjera kemi “rend” sidomos tek ato që qeverisen nga PD, që kanë bërë investime, kanë bërë rrugë vitin e kaluar, e duan paratë t’i sigurojnë këtë vit. Ndërkaq, Prishtina nuk e ka asnjë cent borxh për asnjë punë të kryer nga punëkryesit.”

“Unë mburrem me atë çfarë është bërë në Prishtinë. Mburrem me Prishtinën dhe duhet të mburren edhe qytetarët e Prishtinës që e kanë një Prishtinë që është shumë demokratike, shumë europiane”

“Unë kurrë nuk do të kisha dashur që Prishtina të qeveriset ndryshe, por të qeveriset në mënyrën më të civilizuar dhe në mënyrën më njerëzore. Qeverisja njerëzore është qeverisja për qytetarët tanë.”

“Për tjetër qeverisje, ne nuk kemi alternativë. Këta që janë për këtë alternativë, jepeni votën. Ata që kërkojnë alternativë tjetër, ata pastaj ballafaqohen me revolucionin. E revolucioni, thonë, i ha bijtë e vet.”

Isa Mustafa tha se Prishtina ka të hyra vetanake, andaj Komuna nuk është varur fortë prej pushtetit qendror.

“Pjesën dërmuese të investimeve ne i kemi përballuar nga buxheti ynë. Ne kemi pasur prej 22 deri 24 milionë euro të hyra vetanake në vit, pjesa dërmuese e tyre është nga lëshimi i lejeve të ndërtimeve, diku 13 milionë të të hyrave vetanake.”

Për një gjë Isa Mustafa u pajtua me konkurrentët e tij, se në Prishtinë ka pasur mundësi të punohet më shumë.

Ai nga qytetarët nuk kërkoi thjesht votën e tyre, por edhe vlerësimin e tyre.

“Ka mendime në publikë dhe nga konkurrentët se ka qenë e mundur të punohet më shumë. Unë pajtohem me këtë. Gjithmonë mendojmë se duhet të punojmë më shumë dhe duhet bërë më shumë.”

“Unë kërkoj nga ju vlerësimet për punët që janë bërë, kërkoj nga ju vlerësimet edhe për punët që s’janë bërë, për gjendjen që e kemi në Prishtinë”, ka thënë Isa Mustafa.