Revolta e 14 shtatorit, 1998 – si u pushtua kryeministria dhe Televizioni shtetëror

21 vite më parë selia e qeverisë shqiptare u pushtua dhe për disa orë qeveria ishte jashtë funksionit.

Lajme

14/09/2019 22:21

Në këtë vend, më 14 shtator të vitit 1998 kalonin tanke që ishin marrë nga protestues dhe mbështetës të Partisë Demokratike, dhe qëllohej me armë kundër ndërtesës së kryeministrisë.

Rezistenca e policisë dhe gardës ishte shumë e dobët, ja çfarë ndodhi atë ditë.

Mediat botërore e ndoqën lajmin dhe e raportuan atë si një grusht shteti të mirëfilltë. Në fakt ngjarja kishte të gjitha elementet e një grushti shteti. Njëherësh me kryeministrinë, persona të armatosur morën nën kontroll edhe Radio Televizionin Shqiptar.

Për disa orë ata ishin edhe personat që ju treguan gazetarëve dhe moderatorëve t asaj kohe se çfarë duhet të thonin për shqiptarët që ndiqnin me ankth ngjarjet e Tiranës.

Gjithçka erdhi pas zemërimit që shpërtheu nga vrasja e ish deputetit, Azem Hajdari më 12 shtator të vitit 1998.

Procesioni mortor për Azem Hajdarin u kthye në një kryengritje të armatosur. Tirana kaloi orë të vështira për gjatë gjithë datës 14 dhe nuk dihej se si do shkonin ngjarjet nëse nuk do ishte ndërhyrja energjike e diplomatëve amerikanë. Të paktën kështu u shpjegua në atë kohë tërheqja e njerëzve të armatosur, dorëzimi i tankeve që ju rrëmbyen gardës së republikës.

Kjo tërheqje i dha zemër një pjese të Policisë së Shtetit, e cila u riorganizua në periferi të qytetit dhe gjatë pasdites e gjatë darkës nisi të marrë nën kontroll institucionet shtetërore.

Pas 14 shtatorit nisi një kalvar gjyqesh të cilat u zvarritën dhe nuk treguan se kush ishin organizatorët dhe ekzekutoret e këtij grushti shteti.