Revista Politico shkruan për Era Istrefin: Është duke e vendosur Kosovën në hartë
Era Istrefi është duke e vendosur Kosovën në hartë-edhe nëse disa nuk duan që ajo të jetë atje.

ShowBiz
Këngëtarja 24-vjeçare nga Prishtina ka gëzuar një rritje të shpejtë të famës ndërkombëtare, shkruan Politico, transmeton lajmi.net.
Pasi një nga hitet e saj në gjuhën shqipe u bë globale dhe fitoi një marrëveshje me një kompani muzikore amerikane, ajo shkroi dhe këndoi këngën zyrtare të Kupës së Botës të këtij viti, “Live It Up”, së bashku me yjet amerikanë Nicky Jam dhe Will Smith.
Revista “Politico” përmend edhe shqiptarët e tjerë që kanë arritur sukses jashtë vendit, por shkruan për veçantinë e Erës.
“Dhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, Istrefi është pjesë e një brezi të ri artistësh dhe yjesh sportive që i japin territorit – dhe Ballkanit – një imazh alternativ të dominuar nga varfëria, krimi dhe politikanët e korruptuar që grinden për të ardhmen”, shkruan “Politico”.
Ndërsa shumë nga bashkëkohësit e saj me rrënjë kosovare, si këngëtarja Rita Ora dhe futbollisti i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, u rritën në Evropën Perëndimore, Istrefi është 100 për qind produkt vendor, është dëshmi për fansat e vendit të saj se talenti lokal mund të shpërthejë jashtë vendit.
Istrefi, stili muzikor i të cilës është krahasuar me Sian dhe Rihannën, synon ta lansojë albumin e parë që në vitin 2019. Personalisht, ajo është gjithçka që mund të prisni nga një yll i ri i pop-it, tërheqëse dhe joshëse, arrin për intervistë në xhaketë të zezë. Por, ajo gjithashtu arrin herët pa shoqëri dhe aranzhon takimet vetë me WhatsApp.
Megjithëse ajo nuk këndon për politikën, beteja për të ardhmen e Kosovës kërcënoi të shkatërronte momentin e madh të Kupës së Botës të Istrefit. Rusia, e cila nuk e njeh territorin e Kosovës, refuzoi ta linte atë me pasaportën kosovare të hynte në shtetin rus. Për fat të mirë, fqinji i Kosovës i dha shtetësinë e saj, duke i lejuar asaj të shkonte në ceremoninë e mbylljes në një audiencë mbarëbotërore me miliona persona.
“Vetëm fakti që isha atje, ishte e mjaftueshme për një deklaratë politike,” thotë ajo pas një dreke të vonë në Londër, ku ajo aktualisht është e qëndruar.
Istrefi ka lejuar veten të merret “pak me politikë” në Instagram. Ajo bëri një gjest duarsh që përfaqëson një shqiponjë me dy krerëshe- një simbol i identitetit shqiptar. (Shumica e popullit prej 2 milionësh të Kosovës janë shqiptarë etnikë.) Ajo shtoi fjalët “njohje për të gjithë, dashuri për të gjitha vendet” – një lutje për Kosovën që të pranohet si shtet i pavarur. /Lajmi.net/