Revanshi i Gruevskit, ngritet aktakuzë ndaj Zaevit

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka ngritur sonte kallëzim tjetër penal kundër liderit të LSDM-së, Zoran Zaev për mitmarrje.

Lajme

10/03/2015 23:34

Zaev akuzohet nga MPB-ja se këtë vepër penale e ka kryer teksa ka qenë kryetar i Komunës së Strumicës. Ai dyshohet se ka marrë mitë 200 mijë euro.

Kjo akuzë është bërë publike nga zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, në kohën kur po zhvillohej tribuna e opozitës maqedonase, ku u shpalos e ashtuquajtura “bombë” e tetë e opozitës maqedonase kundër qeevrisë Gruevski.

“Zaev akuzohet se në periudhën nga nëntori 2013 deri sot ka kërkuar nga një person nga Strumica një dhuratë me një vlerë të lartë për një tokë ndërtimore në Strumicë, për të cilën pronë personi i dëmtuar kërkonte privatizimin e saj”, deklaroi Kotevski.

Sipas tij, personi i dëmtuar që në fund të vitit e kishte lajmëruar këtë vepër në Prokurorinë publike.

Ndërkaq, muajt e fundit Zoran Zaev ka tronditur opinionin në Maqedoni duke nxjerrë një sërë përgjimesh, ku janë të përfshirë shumë akterë politikë.