Reuters: Arrestimi i Thaçit në Serbi do të ishte një incident diplomatik, që do të zemëronte BE-në

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qenë lider i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën kundër Serbisë, shpreson që ta vizitojë Beogradin javën e ardhshme, teksa është ftuar të marr pjesë në një konferencë të organizuar nga një organizatë joqeveritare. Thaçi i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese, pavarësisht se në Serbi ka një urdhërarrest ndaj tij.

Lajme

16/04/2015 16:47

Politikanët serbë, ka kohë që e kanë ndërlidhur emrin e Hashim Thaçit me atë të një krimineli lufte, për shkak të rolit të tij në luftën e Kosovës në vitet 1998-1999, shkruan Reuters, transmeton lajmi.net.

Ai është dënuar në mungesë me 10 vjet burgim, më 1997 nën akuzat e “terrorizmit”, por vetëm një dekadë më vonë, ishte pikërisht Thaçi që lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës dhe qe disa vite, ai është i përfshirë në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Muajin e kaluar, Thaçi piu kafe dhe bëri shaka me homologun e tij serb Ivica Daçiq, në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Por, Beogradi pëlqen që Thaçin ta mbajë larg dhe qeveria atje është duke u përballur me thirrjet e nacionalistëve serbë, të cilët kërkojnë që Thaçi të arrestohet nëse përpiqet të marrë pjesë në konferencën e 24 prillit në Beograd, transmeton lajmi.net.

Vizita e tij në Beograd kërkon nga autoritet serbe të organizojnë një operacion të madh të sigurisë.

“Thaçi ka marrë ftesën dhe është i gatshëm për të vizituar Beogradin”, tha Ardian Arifaj për Reuters. “Tani varet nga autoritetet në Beograd nëse Thaçi do të shkojë apo jo”, shtoi më tej ai.

Prokurori i krimeve të luftës në Serbi, Vladimir Vukçeviq, tha se e hetimet për krime lufte kundër Thaçit janë të papërfunduara, pasi që ai nuk është nën juridiksionin e autoriteteve serbe. Por, Vukçeviq, i ka thënë të përditshmes serbe Blic se “nëse ai vjen këtu ne mund ta arrestojmë” .

Zyra e Vukçeviqit nuk ka pranuar që të prononcohet për Reuters. Arrestimi i Thaçit, ndonëse ka gjasa të ndodhë, mund të përbënte një incident të madh diplomatik i cili do të zemëronte edhe Bashkimin Evropian, pjesë e së cilës aspirojnë të jenë në të ardhmen Serbia dhe Kosova.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi është ftuar në konferencë të organizuar nga “Ambasadorët e Paqes” e cila do të mbahet në Beograd.

Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, pasi morri vesh nga mediat se Thaçi është ftuar në këtë konferencë deklaroi:“Nuk mendoj se ai ka nevojë që të vijë”. (lajmi.net)