Respektoni marrëveshjet me shqiptarët
Edi Rama kërkon nga Presidenti Ivanov që Maqedonia t’i respektojë marrëveshjet e arritura me shqiptarët. Atij i ka ardhur ftesa nga Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski për ta vizituar Shkupin.

Lajme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka thënë Presidentit të Maqedonisë, Georgi Ivanov se Shqipëria është e shqetësuar rreth ecurisë së implementimit të marrëveshjeve të arritura me shqiptarët në këtë shtet.
Në takimin e zhvilluar të martën paradite në Tiranë, Rama ka thënë se Shqipëria është e interesuar për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.
“Ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për implementimin e marrëveshjeve të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar për mbarëvajtjen e popullsisë shqiptare në Maqedoni” .
“Jemi të interesuar për të vazhduar bashkëpunimin mes dy qeverive. Kjo është një kohë e re pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, që hap një dritare të re për rajonin, dhe Shqipëria e Maqedonia duhet të shikojnë përpara me ide dhe projekte të reja”, tha Rama.
Gjatë takimit, Ivanov i ka dorëzuar Ramës një ftesë zyrtare nga Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski për ta vizituar Shkupin, ndërsa është shprehur në favor të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet shteteve në rajon.
“Jetojmë në një kohë ku nuk mund të bllokohet komunikimi mes vendeve. Jetojmë në një brez që nuk ka durim të kalojë orë të caktuara për të shkuar në një vend. Këtij vendi duhet ti japim një rrugë të re. Rrugë të reja, kabllo të reja, internet të ri, gazsjellës të ri, etj. Kjo është ajo që i detyrohemi brezit të ardhshëm, ata do na kujtojnë nga kjo që do bëjmë sot”.
Ivanov ka qëndruar në Shqipëri në kuadër të samitit të Presidentëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi i cili gjatë dy ditëve të kaluara është mbajtur në Durrës.