Republika Serbe kërkon pavarësi nga Bosnja

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, ka thënë sot se populli serb nuk është i lirë në Bosnje e Hercegovinë dhe se një ditë duhet të çlirohet duke dal nga ky shtet, raportojnë mediat serbe.

Lajme

04/07/2014 19:25

“Republika Serbe dhe populli serb nuk janë të lirë në BeH. Ata mbahen në mënyrë që është e padurueshme. Një ditë duhet që ta zgjidhim këtë jo liri që quhet Bosnje e Hercegovinë”, iu ka thënë Dodik gazetarëve në Mrakovicë ku sot shënohej 72 vjetori i betejës së Kozharit. 

Dodik ka përsëritur se në BeH, “nuk ekziston koncensusi për jetën”, dhe ka shtuar se është e rëndësishme që Republika Serbe të forcohet që një ditë ajo ta shpallë pavarësinë, kur për këtë siç ka thënë ai, të krijohen rrethanat ndërkombëtare dhe rrethanat e tjera.