Të Infektuar: 41.299

Të Shëruar: 26.453

Të Vdekur: 1.062

Republika Çeke ashpërson masat kundër koronavirusit në ambiente të jashtme

10:21 | 20 Tetor 2020

Republika Çeke e ka bërë të detyrueshme vendosjen e maskës në ambiente të hapura, teksa numri i personave të infektuar me koronavirus vazhdon të rritet në këtë shtet.

Rregullat e reja do të nisin së zbatuari nga ditë e mërkurë në qytete dhe komuna, ka thënë ministri çek i Shëndetësisë, Roman Prymula.

Përjashtimet do të ekzistojnë nëse mund të mbahet distancë më e madhe se dy metra, si dhe kur të zhvillohet ndonjë sport.

Mbulimi i gojës dhe hundës është veçse i obligueshëm në ambiente të mbyllura derisa maskat tani duhet të vendosen edhe nëse në makinë ka persona që nuk janë të një familjeje.

Autoritetet çeke u patën kërkuar banorëve të këtij vendi që të mbajnë maskat në ambiente të jashtme nga mesi i marsit deri në mes të qershorit, gjatë fazës së parë të pandemisë.

Numri i personave të infektuar në këtë shtet të Evropës Qëndore është rritur dukshëm në javët e fundit.

Në 14 ditët e fundit, 858.6 persona për 100,000 banorë janë prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, bazuar në të dhënat e fundit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, shkruan rel.

Të martën, autoritetet shëndetësore në Çeki kanë thënë se në 24 orët e fundit kanë identifikuar 8,076 raste të reja me këtë virus.