Reporterët pa kufij: EULEX presion mbi mediat, kundër standardeve të BE-së

Organizata “Reporterët pa kufij” ka reaguar ndaj kërcënimeve që zyrtarë të EULEX-it i kanë bërë gazetarit të “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi, para publikimit të serisë së shkrimeve rreth dyshimeve për korrupsion të zyrtarëve të lartë të EULEX-it.

Lajme

31/10/2014 23:36

Një sjellje e tillë është çështje serioze brenda misionit të BE-së, synimi i të cilit është të ndihmojë rivendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë dhe të instalojë respektimin për vlerat evropiane demokratike, thuhet në reagimin e “Reporterëve pa kufi”.  

“Duke i bërë presion një gazetari investigues, misioni i EULEX-it po vepron në kundërshtim me parimet fondamentale të Bashkimit Evropian për lirinë e informimit”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i “Reporterëve pa kufi”, Christopher Deloire, transmeton koha.net. 

“EULEX-i ka humbur një pjesë të konsiderueshme të kredibilitetit dhe misioni ka dërguar sinjale të forta negative për udhëheqësit lokalë. Pse ata do të mendoheshin dy herë për t’u bërë presion gazetarëve tash e tutje në qoftë se BE-ja, që supozohet se duhet ta udhëheqë Kosovën në rrugën e normave demokratike, mendon se mund t’i kërcënojë ata me persekutim?”, ka shtuar Deloire.