Reparte të QKUK-së “pushojnë” gjatë verës
Pushimet verore kanë bërë që reparte të caktuara në QKUK të mos punojnë fare. Disa të tjera kanë reduktuar operacionet. Pacientët ankohen se nuk iu mbetet zgjidhje, pos të trajtohen në spitalet private. Ekspertë të shëndetësisë thonë se QKUK-ja ka kapacitete të punojnë pa reduktime edhe gjatë verës.

Lajme
Kishte planifikuar që gjatë muajve të verës kur fillojnë pushimet në shkollë të kryejë edhe një intervenim kirurgjik, shkruan “Tribuna”.
Por, mësimdhënësi 61 vjeçar nga Drenasi, Ajet Kadriut, i duhet të presë shtatorin kur fillojnë mësimet për të kryer intervenimin kirurgjik.
Kjo, pasi disa klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë pushuar së kryeri operacionet joemergjente.
“Më duhet që intervenimin ta kryej në Laparaskopinë e QKUK-së. Më patën thënë ta lë më vonë sepse nuk është diçka emergjente. Qëllimisht e kisha lënë gjatë verës që të mos humbi mësimin. Por, tash shumica e stafit ishin në pushime edhe ishte problem të kryehej kjo punë pasi që Laparaskopia ishte në pushim të plotë”, thotë ai.
E vetmja zgjidhje, siç thotë ai, këtu është që këtë intervenim ta kryejë në sektorin privat, çfarë kërkon edhe kosto.