Rënie e votuesve serbë
Është vërejtur rënie e votuesve serbë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Anëtari i KQZ’së, Nenad Rikalo, thotë se në pothuajse të gjitha komunat në qendër të Kosovës është shënuar një rënie e numrit të votuesve.

Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Nenad Rikalo, ka deklaruar për agjencinë serbe të lajmeve Beta se pjesëmarrja e serbëve në raundin e dytë të zgjedhjeve është dukshëm më e vogël se sa më 3 nëntor.
Rikalo ka thënë se deri gjatë pasdites në Graçanicë kanë votuar 2 mijë e 190 qytetarë, saktësisht 11. 4 për qind, ndërsa më 3 nëntor në periudhë të njëjtë kohore kanë votuar 3 mijë e 120 votues.
“Në komunën e Novo Bërdës kanë votuar 803 qytetarë, ndërsa në raundin e parë numri i votuesve kishte qenë 1.423. Në Shtërpce kanë votuar 1.590 qytetarë ose 11.51 për qind, ndërsa në të njëjtën periudhë gjatë raundit të parë, kishin votuar 2.675 qytetar”.
Sipas Rikalo, në Ranillug kanë votuar 777 qytetarë ose 115 votues më pak se në zgjedhjet, ndërsa në Kllokot kanë votuar 457 qytetarë, gjë që është numër më i vogël në krahasim me 813 sa ishte në periudhën e njëjtë kohore në zgjedhjet e 3 nëntorit.