Renault mbyll katër fabrika në Francë, rrezikon gjashtë modele veturash
Prodhuesi francez do të ndërmarrë hapa për të kursyer dy miliardë euro deri në vitin 2022.
Auto & Tek
Për të arritur shkurtimet e planifikuara të tregut, Renault po konsideron gjithashtu mbylljen e disa fabrikave, shkruan AutoNews, duke cituar mediat lokale, transmeton lajmi.net.
Ndër fabrikat që mund të mbyllen është edhe ajo në Dieppe, e cila punëson 400 punëtorë.
Dieppe është shtëpia e markës sportive të rinovuar Alpine, kështu që fabrika ka prodhuar një A110 të re që nga viti 2017, një rival për Porsche 718 Cayman. Sidoqoftë, shitjet e Alpine A110 në tregun evropian janë nën pritjet.
Sipas të dhënave të fundit para pandemisë koronavirus, vetëm 61 vetura u janë dorëzuar klientëve në shkurt. Në vitin 2018, vetëm 1.950 prej këtyre makinave u shitën, dhe vitin e kaluar 4.376 automjete.
Një fabrikë tjetër që është në rrezik është në Flins, afër Parisit, e cila u hap në vitin 1952. Flins prodhon elektrike Renault Zoe, por edhe Nissan Micra.
Vitin e kaluar, fabrika pësoi një goditje nga drejtuesit e Renault, pasi prodhimi i modelit Clio u transferua në Slloveni dhe Turqi.
Dy fabrikat e mbetura franceze që kërcënohen me mbyllje janë Chausy-le-Roy me rreth 250 të punësuar dhe Morbihan, ku punojnë rreth 400 njerëz.
Nëse të gjitha fabrikat e listuara do të mbyllen, disa modele Renault janë të rrezikuar. Përveç Alpine A110, këto janë Megane, Koleos, Talisman, Scenic dhe Espace.
Më herët, Renault njoftoi se synon të eliminojë disa modele nga diapazoni i tij, duke deklaruar se të parët që goditen janë Scenic, Espace dhe Talisman. /Lajmi.net/