Rektori Zejnullahu jep dorëheqje

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të UP-së.

Lajme

16/02/2016 15:47

Në një letër publike, një ditë pas 46 vjetorit të themelimit të universitetit publik, Zejnullahu shkruan se qëndrimi i mëtutjeshëm i tij në krye të universitetit, “do të ishte lajthitje, mashtrim i qytetarëve se çdo gjë është në rregull dhe se çdo gjë do të bëhet mirë”.

Rektori shkruan se pas zgjedhjeve të fundit në Universitetin e Prishtinës, përsëri u votuan e erdhën në pozita njerëzit që e kanë degraduar institucionin nga i cili po dorëhiqet.

I pari i UP-së po jep dorëheqje vetëm një muaj para se t’i përfundojë mandati siç e parasheh statuti i universitetit.

Kjo është letra e plotë e rektorit Zejnullahu:

Para 18 muajsh kam ardhur në krye të Universitetit të Prishtinës për të ndihmuar nxjerrjen e institucionit nga kriza në të cilën e kishin futur degradimi akademik e moral, papërgjegjësia dhe konformizmi.

E kam ditur se do të jetë shumë vështirë, por nuk kam pasur idenë se rezistenca për ndryshime do të jetë aq e fortë. Përkrahja e madhe që më është dhënë ka ndikuar që t’i qëndroj besnik misionit tim.

Po kjo përkrahje ka bërë që, pas shkarkimit tim dhe anulimit të këtij vendimi, të rikthehem në krye të Universitetit. E kam bërë këtë për ta inkurajuar stafin akademik dhe studentët që, përmes pjesëmarrjes në procesin zgjedhor, të reflektojnë për situatën e përgjithshme dhe të zgjedhin një rrugë që jep shpresë.

Zgjedhjet e përgjithshme në UP tash kanë marrë rrugën e vet drejt rezultatit përfundimtar dhe, në masë të madhe, kanë demantuar bindjen time, të shprehur në një deklarim publik, se “në UP, ka shumë gjëra me të cilat jemi të pakënaqur”. Si duket njerëzit janë të kënaqur, prandaj edhe i votojnë ata që, sipas bindjes sime, e katandisën Universitetin në këtë gjendje, ata që, vite me radhë manipuluan, falsifikuan, mashtruan dhe përfituan.

Kjo tregon se UP, tanimë, e ka trasuar qartë rrugën e “zhvillimit” të vet. Nëpër këtë rrugë sot do të ecim vet, ndërsa nesër, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Po shihet qartë se kjo është rrugë e përshtatjes interesave të klaneve, brenda së cilës, ka hapësirë të mjaftueshme për realizimin e interesave joligjore të secilit që ka fuqi, duke filluar nga ata që janë në majat e shtetit e deri te servilët besnikë të tyre.

Qëndrimi im i mëtutjeshëm në krye të Universitetit do të ishte lajthitje, mashtrim i qytetarëve se çdo gjë është në rregull dhe se çdo gjë do të bëhet mirë. Megjithëse ka mbetur vetëm edhe një muaj deri në përfundimin e mandatit tim, unë nuk dëshiroj të qëndroj në krye të institucionit i cili ka zgjedhur një rrugë që nuk përkon me vizionin tim dhe me angazhimet e mia. Prandaj edhe kam dhënë dorëheqje nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtinës.

Shpresoj se ky hap i imi do të mirëkuptohet nga stafi akademik, studentët dhe qytetarët.

Unë kam ardhur në krye të UP-së që ta nxis një ndryshim pozitiv, mundësisht brenda këtyre dy viteve sa kisha mandat, dhe këtë e kam thënë edhe publikisht. Gjatë kësaj kohe jam munduar të punoj ndershëm dhe në mënyrë transparente. Në pozicionin zyrtar që mban ndonjëherë, nuk mund të artikulosh qëndrimet ashtu si do të bëje në kapacitet privat. Në disa raste kjo ka mundur të interpretohet edhe si ndryshim i qëndrimit parimor dhe krijim i përshtypjes së gabuar se, për hir të ruajtjes së postit, je pajtuar me atë të keqe për të cilën ke marrë mandat ta luftosh.

Por, megjithatë jam i bindur se publiku e kuptoi se ndërrimi i idesë dhe afrimi me eksponentë të degradimit akademik janë veprime që nuk do t’i bëj asnjëherë dhe për asnjë çmim. Nuk kam pasur plane pas këtij mandati, dhe jam përpjekur të mos kalkuloj çfarë më shkon për shtati e çfarë jo, me gjithë se gjatë tërë kohës isha nën presion shumë të madh nga të gjitha anët, e më së shumti nga njerëzit që nuk ia dilnin t’i ruajnë privilegjet e veta, e që ishte e mundur vetëm në kushte të funksionimit joligjor të institucionit.

Nëse, sadopak, kam arritur t’i kontribuoj ndërtimit të një kulture të transparencës dhe të respektimit të kritereve ligjore e akademike në këtë Universitet, atëherë mendoj se i kam bërë një shërbim modest Kosovës. Nëse jo, atëherë puna ime ka dështuar. Koha do të gjykojë më së miri për këtë. Unë ende vazhdoj të besoj në fuqinë e UP-së dhe të shoqërisë sonë për t’u transformuar, duke respektuar vlerat dhe duke ndërtuar institucione që punojnë për të mirën e përgjithshme, e jo për klane njerëzish të fuqishëm e keqbërës.

Unë do të vazhdoj ta jap kontributin tim për të mirën e UP-së në cilëndo pozitë që jam. Forca e dijes dhe e arsyes do të triumfojë herët a vonë.

I falënderoj të gjithë ata që më ofruan përkrahje gjatë kësaj kohe, qoftë edhe nëse ndonjëherë nuk janë pajtuar me veprimet e mia.

Mbi të gjitha, i falënderoj ata që nuk më njohën në fillim por, duke e parë se ku ishim katandisur, besuan se mund të punohet pa hile e pa kalkulime për të mirën e universitetit dhe të vendit. Do të ju respektoj gjatë gjithë jetës!