Rekordet negative të Spanjës

Spanja i regjistroi dy rekorde negative, pas humbjes së thellë të pësuar nga Holanda me rezultat 5:1. Për debutimin më negativ dhe për humbjen si kampion në fuqi i Botërorit.

Sport

14/06/2014 12:26

Spanja nuk ka mundur ta niste në mënyrë më të dobët Botërorin 2014. Me goleadën e pësuar nga Holanda, 1:5, “Stuhia e Kuqe” e bëri debutimin më të dobët personal në Botëror, si dhe debutimin më të dobët si një kampion bote.

Deri tash kishte debutime të dobëta, por assesi jo sikur ai i ekipit të Vicente del Bosques. Në vitin 1950, Italia (kampion i vitit 1938) kishte debutuar me humbje nga Suedia, 3:2.

Argjentina në vitin 1982 kishte humbur 2:1 nga Belgjika. Të njëjtin ‘fat’ e patën argjentinasit edhe në vitin 1990, kur kishin pësuar nga Kameruni, 1:0 dhe e fundit ishte Franca, e cila në vitin 2002 kishte humbur 1:0 nga Senegali.