Rekord i kontratave të jashtëligjshme në Prokurimin Publik të Ferizajt

Organizata INPO reagon ashpër ndaj keq menaxhimit të parasë publike përmes instrumentit të prokurimit në Komunën e Ferizajt dhe kërkon që të mbahen përgjegjës zyrtarët të cilët kanë vepruar në mospajtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Lajme

24/03/2016 14:07

Në INPO kanë thënë se Zyra e Prokurimit në komunën e Ferizajt, më 15 mars 2016, ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës për rregullimin e murit mbrojtës te fabrika e ujit në fshatin Pleshinë për shkak të rrëshqitjeve të dheut.

Mirëpo, ekzekutimi i punëve tek Fabrika e Ujit kishte filluar ditë më parë nga kompania NPN “Agoni”, ende pa u nënshkruar kontrata sipas procedurave të rregulluara me ligj. Vetëm disa ditë më vonë në bazë të njoftimit nga Komuna e Ferizajt, fitues i kësaj kontrate, në vlerë prej 84.701.00 euro, sipas procedurës së negociuar të prokurimit, është shpallur pikërisht kompania NPN “Agoni”.

Me të marrë këtë informacion, INPO ka kërkuar qasje në dokumentacionin e këtij aktiviteti të prokurimit, dhe ka kontaktuar direkt me zyrtarin e njësisë së prokurimit, Fehmi Ibrahimi.

“Në bazë të shikimit të dosjes së tenderit dhe vlerësimit të procedurave, INPO ka gjetur se kjo njësi, ka bërë shkelje serioze të Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës Nr.04/L-042. Në bazë të të gjeturave të INPO-s, Zyra e Prokurimit, kishte iniciuar aktivitet të prokurimit me procedurë të negociuar, pa publikimin e njoftimit të kontratës, përkitazi me nenin 35, paragrafi 2.1. alineja (iii), të Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Albulena Nrecaj, për të shtuar se për inicimin e kësaj procedure zyrtari i prokurimit, nuk e kishte plotësuar kushtin e parë, atë të sigurimit të Deklaratës për Disponueshmërinë e Fondeve të nënshkruar nga Kryetari i Komunës, dhe Zyrtari Kryesor Financiar, me ç’rast ka bërë shkelje të nenit 22 të Ligjit për Prokurimin Publik.

Kjo deklaratë ishte nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Financiar, në të njëjtën ditë edhe kur është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës. Pavarësisht kësaj shkelje, zyrtari i Prokurimit kishte vazhduar me fazat e negocimit me NPN “Agoni” duke u bazuar në paramasat dhe parallogarinë e punëve në vlerë prej 85.496.10 euro, të përgatitur nga Drejtoria e Infrastrukturës, si njësi kërkuese dhe kishte arritur që këtë shumë ta zbresë vetëm për 795 euro në bazë të negocimit me operatorin ekonomik.

“Në bazë të shikimit të çmimeve në paramasat dhe parallogaritë e punëve INPO ka vërejtur se njësia kërkuese ka bërë fryrje të çmimeve për njësi në pozicionet e caktuara, si dhe përshkrim jo real të pozicioneve për projektin, me çka është rritur vlera totale e kontratës. Gjithashtu, INPO ka vizituar vend punishten dhe ka vërejtur se ekzekutimi i punëve dhe ndërtimi i murit kishte filluar para se të përfundonin proceduarat e prokurimit dhe të nënshkruhej kontrata”, ka thënë zyrtarja e INPO-s, Albulena Nrecaj.

Përveç këtyre shkeljeve në këtë aktivitet të prokurimit, INPO ka gjetur se kjo zyrë prej datës 1 deri me 21 janar 2016 ka lidhur rreth 30 kontrata përmes procedurës së kuotimit të çmimeve pa i pasur fare në planin vjetor të prokurimit për vitin 2016, dhe për të cilat aktivitete nuk është lajmëruar fare Agjencia Qendrore e Prokurimit, ku sipas nenit 9 paragrafi 6 i Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës Nr.04/L-042, autoritetet kontraktuese janë të obliguara që për objektet e aktiviteteve të prokurimit të cilat nuk janë të parapara me planifikimin vjetor të autoritetit kontraktues, t’i dërgojnë një kopje të deklaratës përkatëse të Nevojave dhe Disponueshmërisë së Fondeve së paku pesë (5) ditë para se Zyrtari Autorizues të autorizoj Zyrtarin e Prokurimit për inicimin e aktivitetit të prokurimit. Në këtë drejtim, këto (mos)veprime të zyrës së prokurimit janë krejtësisht në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe me arsye mund konstatohet se këto veprime paraqesin precedent të keq menaxhimit të parasë publike dhe dyshim të bazuar për kurdisje të tenderëve.

INPO i rikujtoi kryetarit të Komunës, Svarqa se është nën përgjegjësinë e tij kryesore garantimi i sundimit të ligjit dhe menaxhimit efikas dhe efektiv në shpenzimin e parasë publike, gjithnjë duke pasur për interes nevojat reale të qytetarëve të Ferizajt.

 

INPO i ka kërkuar kryetari Muharrem Svarqa, që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të mbajtur llogaridhënës të gjithë ata zyrtarë të cilët kanë rënë ndesh me ligjin, si dhe të angazhohet maksimalisht në zbatimin e parimeve të transparencës në shpenzimin e parasë publike. Gjithashtu, INPO i bëri thirrje të gjitha autoriteteve relevante të cilat kanë për mandat mbikëqyrjen e shpenzimit e parasë publike, të reagojnë në kërkim të llogarisë për shkeljet e paraqitura dhe të angazhohen që autorët e këtyre shkeljeve të mbahen përgjegjës para ligjit.