Reka: Maqedonia e Veriut është shtet por nuk është Republikë

Kandidati i pavarur për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, është paraqitur në konferencën e parë për media pas mbledhjes së nënshkrimeve për zyrtarizimin e kandidaturës.

Lajme

06/03/2019 16:30

Reka me këtë rast falënderoi qytetarët për përkrahjen, duke uruar që ky entuziazëm të përcillet edhe në ditën e zgjedhjeve për kreun e shtetit më 21 prill.

Ai theksoi se “Maqedonia e Veriut është shtet por jo Republikë”, sepse sipas tij “Republika deri më sot për dhjetë vite ka qenë e privatizuar nga presidenti aktual”.

Kandidati i pavarur Blerim Reka shtoi:

“Republika nuk bëhet me njerëz mbi ligjin dhe me një administratë të nepotizuar. Kjo do të marrë fund më 21 Prill 2019”.

Ndër të tjera Reka tha:

“Maqedonia do të jetë pjesë e NATO-s për shkaqe strategjike të sigurisë, por për të qenë pjesë e BE-së duhet ende punë”.

Në këtë konferencë u paraqitën edhe kryetarët e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, Zijadin Sela dhe  Bilall Kasami.

Në këtë konferencë ata u shprehën të kënaqur që po e përkrahin kandidaturën e pavarur.

Sela u shpreh se “ Qeverisja duhet të bëhet duke respektuar gjitha të drejtat dhe liritë e njeriut”

Ai beson se Blerim Reka “ i ka të gjitha vetitë për të qenë në krye të Maqedonisë së Veriut”.

Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka falënderuar për guximin e kandidimit të Blerim Rekës.

Kasami theksoi se “Ky është një hap i vogël për guximin intelektual për profesorin, por një hap i madh për Maqedoninë.

Ai shtoi “Kandidatura e Rekës nuk mund të kontestohet nga asnjë palë”.

Kasami ndër të tjera tha:

“Pak kanë guxim të kandidojnë si i Pavarur si Blerim Reka. Urojmë që qytetarët ta lexojnë drejtë këtë porosi që po e përcjellim. Me përkrahjen e kandidaturës së pavarur ne po tregojmë se duhet të kemi president jo të partizuar, por në shërbim të gjithë qytetarëve”.