Reja me ndryshime të mëdha ndaj Moldavisë: Luajmë për fitore

Reja ka kërkuar nga futbollistët që të jenë të fokusuar kundër Moldavisë, sepse në këtë garë “nuk ka skuadra të lehta”.

Sport

10/06/2019 17:17

Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, është paraqitur sot para gazetarëve për të folur në prag të sfidës kundër Moldavisë (të martën në mbrëmje në Elbasan Arena), që shënon edhe debutimin në shtëpi për trajnerit italian.

Reja ka thënë se për dallim nga humbja me Islandën, kundër Moldavisë mund të startojnë 3-4 futbollistë tjerë.

“Unë nuk pashë probleme në mbrojtje dhe në sulm, por jam dakord që lidhja mes tyre është një problem, duhet punuar për një koordinim sa më të mirë. Pozicionet ishin të përshtatshme, por patëm pak vështirësi në pasimin e fundit”, tha Reja.

“Po përmirësohemi në lëvizje, në lojë ofensive, tani duhet konkretizuar puna që kemi bërë, sepse në mbrojtje luajtëm një ndeshje të shkëlqyer, Islanda e goditi vetëm një herë portën tonë dhe shënoi”.

“Ndryshimet e paralajmëruara? Është ende herët për të vendosur. Do të shoh formën fizike, dikush mund të pushojë, sepse i kemi rolet të dubluara dhe vetëm ata që janë në 100% do të luajnë. E kam një ide, por të shohim, duhen edhe 24 orë deri në momentin e ndeshjes. Mund të bëj ndryshime, 3-4 e shumta, në mesfushë dhe në sulm mund të pushojnë disa lojtarë, sepse lojtarët u lodhën shumë duke sulmuar e mbrojtur”.

Reja mendon se humbja 1-0 nga Islanda nuk e pasqyron të vërtetën.

“Islanda nuk na rrezikoi asnjëherë. Ata gjuajtën vetëm një herë në portë dhe shënuan”, u shpreh Reja.

“Formacioni? Është herët për të projektuar formacion, do të flas me lojtarët, kush është në formën më të mirë. Mendoj se janë të gjitha mundësitë për të luajtur me skemën 3-5-2, thjesht duhet të punojmë më shumë me krahët. Ajo që mungoj në ndeshjen me Islandën ishte mos furnizimi i sulmit me topa për të arritur te goli”.

“Uzuni dhe Sadiku? Nuk kam vendosur ende, por ndoshta Uzuni dhe Sadiku mund të luajnë nga fillimi kundër Moldavisë”, vijoi Reja në konferencë para gazetarëve.

Ai ndër të tjera foli edhe për vështirësinë e kësaj ndeshje.

“Nuk ka skuadra të lehta, ndaj i kërkoi lojtarëve që të jenë të përqendruar ndaj Moldavisë. Fusha e tregon se kush është më i miri”.

“Fitorja e detyruar, presion shtesë? Nuk mund ta parashikoj rezultatin, ne kemi synim të luajmë mirë dhe të fitojmë, për të mos marrë goditje në aspektin moral”.