Reichel: Fajtorë për bllokadën është opozita

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është takuar sot me ambasadorin Ernst Reichel, i cili është përgjegjës në Ministrinë e Jashtme gjermane për Evropën Juglindore.

Lajme

12/10/2015 13:18

Kryetari i Kuvendit të Kosovës,  Kadri Veseli, priti sot në një takim të dërguarin e posaçëm gjerman për Evropën Juglindore, ambasadorin Ernst Reichel.

Në takim fillimisht u bisedua për gjendjen aktuale të krijuar në Kuvendin e Kosovës si pasojë e veprimeve të opozitës.

“Fajtor për këtë situatë është opozita, e cila duhet t’i respektojë rregullat e demokracisë parlamentare, ku pakica nuk mundet që me veprime të dhunshme t’ia imponojë vullnetin shumicës”, tha me këtë rast reichel.

Ndërkaq, Veseli tha se është duke bërë përpjekje që në Kuvendin e Kosovës të ruhet fryma e demokracisë parlamentare, duke vazhduar me insistim në mjetet demokratike për përafrim në mes pozitës dhe opozitës.

“Kuvendi nuk mund të bllokohet dhe do të vazhdojë punën e tij me një paketë projektligjesh shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit”, tha kryeparlamentari Veseli.

Veseli dhe Reichel gjithashtu biseduan edhe për proceset integruese si dhe për zhvillimin ekonomik.

Ambasadori Reichel theksoi se Kosova është shumë afër përmbylljes së procesit të nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në anën tjetër, Veseli e ka falënderuar ambasadorin Reichel për mbështetjen që Berlini i jep në vazhdimësi Kosovës dhe shprehu nevojën që bizneset gjermane të investojnë kapitalin e tyre në ekonominë kosovare. Zhvillimi ekonomik është agjenda të cilën qytetarët e Kosovës e presin nga të zgjedhurit e tyre./lajmi.net/