“Rehatohen” të pakënaqurit

Edhe pse disa zëra të pakënaqur u dëgjuan akoma pa u bërë publike mirë listat për kandidatë për deputetë, tashmë duket se partitë politike kanë arritur të eliminojnë pakënaqësitë që disa persona kanë pasur për shkak të rënditjes së tyre në listën për deputet.

Lajme

19/05/2014 09:17

Ndonëse jo të gjithë kandidatët për deputet kanë qenë të kënaqur me renditjen e tyre në listë, si duket, krerët dhe organet e partive në Kosovë kanë marrë masa që t’i rehatojnë të pakënqurit e tyre.

Nënkryetar i LDK-së Haki Rugova duke folur për “Zëri” ka thënë se renditja në listë për votim qoftë në fillim apo në fund nuk ka rëndësi, pasi që ai mendon se votuesit zgjedhin ata emra që i konsiderojnë si më të mirët.

“Ka ndodhur që në zgjedhjet e fundit personi që ka qenë i fundit në listë e ka fituar garën për të qenë deputetë. Dhe kjo është shumë normale dhe nuk do të thotë se 10-shi i parë apo 20-shi, janë më të privilegjuarit sepse ata që gjenden në fund të listës, pasi që mendoj se votuesit janë vetëdijsuar dhe i votojnë ata emra që i konsiderojnë se janë më të mirët”.

Ndërkaq, ish-deputetja e LDK-së Alma Lama, e cila ka qenë njëra prej të “pakënaqurave” ka thënë se ajo ka kërkuar që të jetë në fund të listës.

“Unë kam kërkuar që të jem në numrin 100, në listën për deputet dhe nuk e di se për çfarë arsye nuk është ashtu”.

E ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu thotë se pavarësisht numrit në listën e votimit, ajo shpreson që njerëzit ta votojnë atë.

“Lista është me 110 kandidatë dhe PDK-ja dihet që është në koalicion me disa parti të tjera, prandaj unë jam shumë e kënaqur me renditjen që kam. Po ashtu, mendoj se njerëzit me identifikojnë përmes punës sime do të mund ta gjejnë edhe numrin. Do të isha e lumtur që njerëzit përmes emrit e gjejnë emrin tim, sesa përmes numrit të gjejnë emrin”.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga AAK shprehet se vetëm 5-sha e parë në renditje ka rëndësi.

“E rëndësishme është pesëshja e parë në renditje, pas kësaj më nuk ka rëndësi se cilin numër ke. Unë personalisht jam i kënaqur me numrin 20”.

E njëri prej aderimeve të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda i cili është i renditur kah fundi i listës, thotë të jetë i kënaqur me një fakt të tillë.

“Jam më shumë se i kënaqur me numrin 100. Ndër tjerash duke pasur parasysh që sistemi zgjedhor i lejon që qytetarët që të votojnë deri në 5 kandidatë brenda një liste, atëherë numri nuk ka rëndësi”, ka thënë Deda, shkruan sot “Zëri”.