Refuzohet kërkesa e Begzad Sinanit
Ish kreu i Kamenicës Begzad Sinani akuzohet se e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës. Por, ai i quan akuzat si “qesharake”. Ai kërkoi shtyrje të procesit, por kërkesa iu refuzua.
Lajme
Në Gjykatën Themelore të Gjilanit ka nisur procesi gjyqësor kundër ish Kryetarit të Kamenicës, Begzad Sinani, dhe ish zyrtarit të prokurimit, Hasan Keqmezit.
Rastin në fjalë po e kryeson gjykatësja e EULEX’it Anna Adamsak Gallant.
Në bazë të aktakuzës Begzad Sinani dhe Hasan Keqmezi dyshohet se gjatë vitit 2009 me qëllim që vetes t’i sjellin përfitime të kundërligjshme pasurore, kanë marrë vendim për shpërndarjen e ndihmave për skamnorët përkundër faktit që nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë.
Të akuzuarit gjithashtu, ngarkohen edhe me akuzën se gjatë kohës së fushatës zgjedhore në vitin 2009 kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës duke shpenzuar shuma të mëdha për dreka e pije. Që të dy, dyshohen për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare.
Prokurori i çështjes, Faik Halili, është shprehur se ka prova dhe dëshmi të mjaftueshme që dëshmojnë se dy të akuzuarit kanë shkelur ligjin.
I akuzuari Begzad Sinani e ka quajtur qesharake aktakuzën dhe ka kërkuar nga trupi gjykues që të shtyhet procesi gjyqësor pasi që nuk ka kushte për zhvillimin normal të procesit, meqë “është fushata zgjedhore dhe se jemi në prag të zgjedhjeve”.
“Unë jam këtu dhe kjo lëndë nuk është e një rrezikshmërie të lartë. Unë propozoj që ky gjykim të mbahet pas tre muajve sepse së bashku me Shaip Surdullin jemi kandidatë-rivalë për kryetar të Kamenicës”.
Gjykatësja e çështjes, Anna Adamsak Gallant pas konsultimit me kolegët e saj e ka refuzuar kërkesën e Sinanit, me arsyetimin se fushata zgjedhore nuk paraqet ndonjë pengesë që gjykimi për këtë rast të shtyhet.
“Ne jemi të pavarur dhe unë ju siguroj se do të keni një gjykim të drejtë”, shtoi ajo.
Gjatë kësaj seance është deklaruar edhe i akuzuari i dytë Hasan Keqmezi, i cili tha e kjo aktakuzë nuk bazohet në ligjet e Kosovës.
“Aktakuza s`ka dëshmi e as prova dhe unë e ndiej veten të pafajshëm”.
Për rastin në fjalë dëshmitar dhe palë paditëse janë kandidati për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli dhe Afrim Kovani.
(Rajonipress)