Refuzohen 481 aplikacione për veteranët

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, ka nisur verifikimin në terren të aplikacioneve për veteranët e UÇK’së në ish Zonën Operative të Shalës. Janë refuzuar 481 aplikacione.

Lajme

16/01/2014 16:08

Ka filluar verifikimi në terren i aplikacioneve, si dhe vërtetimin e tyre nga ana e eprorëve të të gjitha njësive vartëse të ish Zonës Operative të Shalës të UÇK’së.

Përmes një komunikate, Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK, ka bërë të ditur se kanë përfunduar 1691 aplikacione të kësaj zone.

“Komisioni është duke vazhduar në mënyrë shumë intensive punën për verifikimin e këtyre aplikacioneve. Deri më tani është përfunduar puna me verifikimin e  1691 Aplikacioneve të kësaj zone, ndërsa pritet të trajtohen edhe aplikacionet tjera nga kjo zonë”.

“Pas punës së përbashkët të ish-eprorëve të UÇK-së dhe anëtarëve të Komisionit është konstatuar se nga 1691 aplikues: 684 ju miratohet aplikacioni për Veteranë të Luftës; 100 Ushtarë të UÇK-së, me pasoja të Luftës – Invalidë të Luftës; 52 Ushtarë të UÇK-së të rënë në Luftë – Dëshmorë; 239 kategori të ndryshme, që kanë qenë të kyçur në Luftë , 135 aplikacione për t’i rishqyrtuar në njësi të ndryshme; 481 aplikacione janë refuzuar për t’ju njohur ndonjëra nga këto kategori”.

“Komisioni është duke vazhduar punën edhe për verifikimin në terren të aplikacioneve, si dhe vërtetimin e tyre nga ana e eprorëve të të gjitha njësive vartëse edhe në ish-zonat tjera operative të UÇK’së”.

“Duke qenë të bindur se përmbyllja e verifikimit do të realizohet me sukses, Komisioni kërkon mbështetjen e të gjithë atyre që janë te interesuar që ky proces të përfundojë sa më mirë dhe duke njohur kontributin e të gjithëve që kanë dhënë për lirinë e Kosovës”.