Reforma zgjedhore të kthehet në institucione

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje mendon se reforma zgjedhore duhet të bëhet në institucione, e jo në takime të liderëve politikë. Sipas saj, Vetëvendosje është e gatshme të shkojë në zgjedhje, kurdo që ato mbahen. Por, ato duhet të mbahen para 21 shtatorit.

Lajme

18/01/2014 06:56

Liderët politikë kosovarë që e kanë marrë përsipër procesin e reformës zgjedhore janë duke u sjellë me joseriozitet dhe papërgjegjësi ndaj kësaj çështje.

Kështu thotë Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, subjekti i të cilës është duke qëndruar anash takimeve që Hashim Thaçi i PDK’së, Isa Mustafa i LDK’së dhe Ramush Haradinaj i AAK’së janë duke zhvilluar me ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Haxhiu, e cila ka qenë anëtare e Komisionit Parlamentar për reformë Zgjedhore, ka thënë për lajmi.net se këto takime në mes të liderëve po prodhojnë dëm për Kosovën.

“Duhet të them që Vetëvendosje ka qenë pjesë e reformës zgjedhore, qysh në prill të vitit 2011 kur kjo reformë është nisur në Kuvend, edhe pse nga një marrëveshje antikushtetuese dhe jashtinstitucionale”.

“Ne si subjekt politik kemi qenë të pranishëm edhe në mbledhjet e Komisionit, mirëpo edhe në grupet punuese”.

“Mirëpo, fatkeqësisht, tash kjo çështje është lënë në duart e liderëve politikë, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe kanë treguar një papërgjegjësi dhe joseriozitet dhe një mosvullnet karshi reformës zgjedhore, andaj për këtë arsye ne kemi kërkuar në vazhdimësi që kjo çështje t’i kthehet Kuvendit dhe institucioneve”.

“Pasi që, takimet jashtinstitucionale prodhojnë dëme për shtetin e Kosovës dhe e bëjnë antifunksional dhe jodemokratik”.

Reforma zgjedhore ka filluar qe para gati tri vjetësh dhe akoma nuk është përfunduar. Fillimisht ky proces kishte filluar në Kuvendin e Kosovës, duke u punuar për të nëpër Komisione dhe grupe punuese.

Por, së fundmi ky proces është zhvendosur vetëm në takime në mes të liderëve politikë.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kërkon që ky proces të i kthehet sërish institucioneve.

Deputetja Haxhiu thotë se vonesa për përfundimin e reformës po ndodh për arsye se liderët po mendojnë vetëm për vendet e rezervuara për serbët dhe jo për një reformë të mirëfilltë zgjedhore.

“Kjo reformë është dashur që të kryhet në janar të 2012, për shkak se Komisioni për Reformë Zgjedhore ka pasur 8 deri në 12 muaj afat për të bërë reformimin e Ligjit të Zgjedhjeve”.

“Ne mendojmë që në qoftë se nuk ka pasur vullnet politik për 2 vjet e 8 muaj për të bërë reformë të mirëfilltë zgjedhore, në aspektin e administrimit të zgjedhjeve, atëherë edhe në qoftë se Komisioni do ta riniste punën, ne nuk mendojmë që do të ketë një qasje serioze karshi këtij procesi”.

“Tash kur liderët politikë përmendin reformën zgjedhore, pra nevojën për të bërë reformë zgjedhore, e kanë mendjen vetëm te vazhdimi i vendeve të rezervuara për serbët dhe asgjë më shumë”.

“Ne mendojmë që reforma zgjedhore do të duhej të ishte administrim i zgjedhjeve”.

Haxhiu thotë se Vetëvendosje nuk varet shumë nga reforma zgjedhore. Ata janë të gatshëm për zgjedhje edhe në qershor edhe kurdo. Vetëm pas datës 21 shtator jo, pasi pas kësaj date do t’i binte që në mbylljen e votimit në orën 19:00 të mos ketë dritë, gjë që për Vetëvendosje do të thotë mundësi për manipulim me votën e qytetarit.

“Në fakt ne si subjekt politik nuk varemi shumë nga reforma zgjedhore për shkak se me njerëz të cilët kanë ardhur në pushtet nga vota e vjedhur asnjëherë nuk do të ketë reformë të mirëfilltë zgjedhore”.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje dhe sa më parë që ato të bëhen, aq më mirë është për vendin dhe qytetarët, pasi që çdo ditë e Qeverisë Thaçi në pushtet është ditë e humbur për Kosovën dhe qytetarët”.

“E rëndësishme është që zgjedhjet të mos lihen pas 21 shtatorit. 21 shtatori është e diela e fundit kur ne e kemi ende dritë në vendvotime”.

“Pra është e rëndësishme që ato të fillojnë në ditë dhe të mbarojnë në ditë, pra të mos jetë terr, në mënyrë që të mos manipulohet vota e qytetarëve”, tha Albulena Haxhiu për lajmi.net.