Reforma s’duhet ta prekë Kushtetutën
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se procesi i reformës zgjedhore nuk duhet ta prekë ndryshimin e aktit më të lartë juridik në vend.

Lajme
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Arsim Bajrami, ka kundërshtuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës në këtë kohë.
Bajrami ka deklaruar për “Epoka e Re” se procesi i reformës zgjedhore nuk duhet ta prekë ndryshimin e aktit më të lartë juridik në vend.
“Mendoj se reforma zgjedhore nuk duhet të ketë implikime kushtetuese. Kushtetuta jonë është Kushtetutë e kompromisit, është Kushtetutë që ka bërë kompromis midis vullnetit të popullit për pavarësi dhe standardeve të papara për të drejtat e pakicave. Ky balancë duhet të mbrohet dhe nuk guxon të prishet”.
Sipas Bajramit, vazhdimi i vendeve të rezervuara për minoritetet do ta vështirësojë konsensusin politik dhe do t’i faktorizojë pakicat në mënyrë të pamerituar.
“Nëse shkohet me praktikën e vendeve të rezervuara ai mund të jetë një institucion me efekte krejt të kundërta dhe të bëhet një institucion me të cilin pakica e mban peng shumicën në vendimmarrjet politike”.
“Neve do të na duhet që për të gjitha vendimet e rëndësishme shtetërore dhe kushtetuese të zhvillojmë negociata me pakicat dhe pakicat do të bëhen faktorë, element kyç për marrjen e vendimeve të rëndësishme që nga ndryshimi i Kushtetutës, modernizimi dhe ndryshimi i ligjeve themelore”.
Sipas tij, nuk janë korrekte kërkesat e minoriteteve dhe pretendimet e ndërkombëtareve për të vazhduar edhe më tutje me mandatet e rezervuara.
“Mendoj se nuk janë fort korrekte as presionet ndërkombëtare që vijnë në këtë drejtim, sepse po t’i krahasojmë praktikat e shteteve evropiane, asnjë prej këtyre shteteve nuk aplikon vende të rezervuara dhe të garantuara”.
“Madje as për pakicat milionëshe nuk kanë vendosur standarde të tilla”.
Ai ka thënë se vazhdimi i vendeve të rezervuara për minoritetet do ti sjell telashe Kosovës në të ardhmen në shumë vendime të rëndësishme.
“Nëse lejohet një gjë e tillë, atëherë ne çështjen e rëndësishme si ndërrimin e Kushtetutës, ndërrimin e ligjeve, apo transformimin e FSK’së në një ushtri të rregullt do ta lëmë në duart e pakicave”.
“Nëse subjektet politike të pakicave do të jenë të ndikuara nga Beogradi, atëherë në mënyrë të tërthortë do të hapet një mundësi e interferimit të politikave të Beogradit në Kuvendin e Kosovës. Dhe kjo është krejtësisht e palejueshme në një shtet demokratik”.