Reforma për integrime europiane

Presidentja Jahjaga tha se reformat në sistemin gjyqësor dhe prokurorial janë imediate sepse ato mundësojnë konsolidimin e demokracisë dhe përmbushjen e kritereve për integrime europiane.

Lajme

17/12/2013 17:02

Në mbledhjen e fundit për këtë vit,  të Këshillit Kombëtar për Integrime Europiane, Presidentja Atifete Jahjaga foli për rëndësinë e këtij këshilli në çështjen e integrimeve europiane.

Në fjalimin e saj Presidentja vuri theksin e veçantë në reformën e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

“Reformat në këtë sektor dalin si nevojë imediate nga negociatat tashmë të filluara për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që shënojnë hapin më konkret të marrëdhënies së re me Bashkimin Evropian, të cilat presim t’i përmbyllim me sukses në pranverë të vitit të ardhshëm”.

“Reforma dhe zbatimi i ligjeve thelbësore ka për qëllim të përmirësojë dhe të fuqizojë pavarësinë, paanshmërinë dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë, dhe ky proces duhet të përfundojë me sukses. Sepse reformat e nisura në vend nuk bëhen vetëm për hir të anëtarësimit tonë në BE, por për të mirën e qytetarëve tanë dhe për të vendosur standarde demokratike”.

“Reforma në sistemin e drejtësisë ndihmon në konsolidimin e sundimit të ligjit, stabilitetin afatgjatë të vendit, por edhe në zhvillimin tonë ekonomik”.

“Për këtë arsye, përfundimi me sukses i këtij procesi ndihmon në përparimin e gjithmbarshëm të vendit tonë dhe të shoqërisë tonë”.

Presidentja Jahjaga çmoi lartë punën 2 vjeçare të këtij këshilli, për të çuar përpara reformat për integrime evropiane.

“Që prej fillimit të punës së Këshillit, dy vjet më parë, kemi vënë bazat për ndërtimin dhe fuqizimin e konsensusit të përgjithshëm në shoqëri për reforma dhe për vizionin afatgjatë evropian të vendit tonë”.

“Kjo punë e përbashkët e jona është vlerësuar edhe nga BE-ja dhe procesi i integrimeve për ne fillon me përfundimin e reformave në shoqërinë tonë dhe vendosjen e rendit dhe të ligjit”.

Jahjaga tha se në vitin e ardhshëm Kosovën e pret punë e madhe për të përmbushur obligimet e saj për të përmbushur kriteret për integrime evropiane.

“Një punë intensive na pret në vitin 2014 për të përshpejtuar agjendën tonë evropiane dhe për të përmbushur obligimet që dalin nga ajo dhe unë jam optimiste se Këshilli do të vazhdojë të jetë forum i qëlluar për të ndihmuar çdo institucion të Republikës së Kosovës të arrijë synimet mbi të cilat konsensusi ynë të jetë i palëkundur”, ka thënë Presidentja Atifete Jahjaga.