Reforma në Drejtësi, pas ambasadorëve Rama takon Metën

​Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta në “vilën 30”.

Lajme

13/01/2016 22:07

Takimi ka nisur rreth një orë e gjysmë më parë, pasi kreu i ekzekutivit bisedoi përreth dy orë me ambasadorët e SHBA dhe BE, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.

Takimi rutinë mes dy drejtuesve të koalicionit të majtë mungoi paraditen e kësaj të mërkure por po zhvillohet tani në mbrëmje dhe natyrisht në fokus të tij është Reforma në Drejtësi dhe ngërci i radhës që po kalon ky proces.

Kujtojmë se Opozita ka shprehur shqetësimin e saj për brendinë e draftit të Reformës në Drejtësi ndërsa sot kryetari i LSI-së, Ilir Meta shprehu shqetësim për mungesën e konsensusit politik.

Ora 19: 00- Ambasadorët Lu dhe Vlahutin takim me Ramën në Kryeministri

Takimi i ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin me kreun e ekzekutivit Edi Rama, në qendër të diskutimeve ka pasur reformën në drejtësi, ka zgjatur rreth 2 orë në ambientet e kryeministrisë.

Lajmi nuk konfirmohet zyrtarisht nga zyra për mediat në kryeministri por përmes burimeve të Ora News.

Takimi vjen pas ngërcit të radhës ku është futur sërish Reforma në Drejtësi, cka duket se ka sjellë si domosdoshmëri angazhimin e ndërkombëtarëve për ti dhënë zgjidhje.

Të dy ambasadorët kanë theksuar gjithnjë rëndësinë që ka kjo reformë për vendin tonë dhe kanë kërkuar që ajo të jetë gjithpërfshirëse.

Takimi vjen pasi eksperteët e nivelit të lartë kanë dorëzuar draftin e tyre për këtë reformë, ndërsa PD por edhe LSI kërkojnë bisedime politike për të përmbyllur reformën.