Reforma garanton zgjedhje të lira

Samuel Zbogar thotë se reforma zgjedhore do të garantojë zgjedhje të lira e demokratike. Mendon se ligjet që kanë të bëjnë me MSA’në duhet të jenë prioritet i Kuvendit. E Kryeparlamentari Krasniqi shprehet skeptik për përfundimin e reformës para zgjedhjeve.

Lajme

27/01/2014 18:28

Përfaqësuesi special i BE’së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka deklaruar se reforma në ligjin për zgjedhjet do të jetë në funksion të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Zbogar, cili u prit nga  Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, gjatë ditës së hënë, ka thënë se ligjet që kanë të bëjnë me MSA`në duhet të jenë prioritet i punës së Kuvendit.

Por, Kryeparlamentari Krasniqi, siç thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kuvendit, është shprehur skeptik se procesi i reformës zgjedhore do të përfundojë para zgjedhjeve

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Samuel Zbogar, me të cilin bisedoi për punën që e pret Kuvendin gjatë pjesës së parë të këtij viti dhe për një varg zhvillimesh të tjera”.

“Pasi ka çmuar punën e Kuvendit gjatë vitit të kaluar, përfaqësuesi i BE e ka konsideruar vitin 2014 si mjaft të rëndësishëm për Kosovën dhe në këtë mes ka piketuar edhe rolin që do të ketë Kuvendi.”

“Reforma zgjedhore ishte një nga çështjet kryesore në të cilën ai u fokusua, duke vlerësuar që ndryshimet eventuale të ligjit të jenë në funksion të zgjedhjeve të lira e të ndershme”.

“Zbogar shtroi nevojën që ligjet të cilat kanë të bëjnë me procesin e integrimit europian të Kosovës, konkretisht me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të jenë prioritet i punës së Kuvendit gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Në këtë funksion, ai u ndal edhe në mundësitë e një koordinimi edhe më të ngushtë ndërmjet palëve.”

“Kryeparlamentari Krasniqi, pasi hodhi një vështrim mbi ecurinë e punës së Komisionit për reformën zgjedhore, tha se reforma varet nga subjektet politike dhe njëherësh shprehu skepticizmin e tij që ky proces mund të përfundojë para zgjedhjeve”.

“Sa i përket miratimit të ligjeve, Krasniqi tha se Kuvendi do të përpiqet ta kryejë funksionin e tij legjislativ konform nevojave të Kosovës dhe qytetarëve të saj, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë që lidhet me procesin e integrimit europian. Përkitazi me këtë, Kryetari i Kuvendit shprehu gatishmërinë për ta thelluar koordinimin me mekanizmat e tjerë relevantë”.

“Në takim u fol edhe për rishikimin strategjik të EULEX’it, i cili pritet të ndodhë gjatë muajve në vijim, si dhe për rolin që do ta ketë Kuvendi në këtë proces”, thuhet në komunikatë.