Reforma e vonuar zgjedhore

Glauk Konjufca mendon se marrëveshja e 2011 në mes tri liderëve Thaçi-Mustafa-Pacolli ka qenë një gënjeshtër e madhe. Ai thotë se reforma nuk është e sinqertë. Alma Lama mendon se ky është momenti i fundit për të përfunduar reformën zgjedhore.

Lajme

25/02/2014 18:51

Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca mendon se ngutia për të përfunduar reformën zgjedhore është e qëllimshme. Ai thotë se që nga marrëveshja e vitit 2011 në mes Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, janë tejkaluar të gjitha afatet.

“Në fillim të këtij procesi kemi pasur vonesa të qëllimshme dhe tash po ka nguti të qëllimshme, për shkak se atëherë kur u patën marrë vesh Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa dhe Behxhet Pacolli me marrëveshjen e tyre, e cila çoi në krijimin e këtij Komisioni që duhet ta ndryshojë ligjin zgjedhor dhe atij komisionit tjetër për ndryshime kushtetuese. Atëherë kanë qenë të parapara afatet ligjore. Afatete ligjore tashmë janë tejkaluar në mënyrë banale”.

Konjufca në një bisedë në RTV 21, thotë se takimi i fundit në mes Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës ka bërë që Vetëvendosje të besoj se reforma është një “pazar” në mes të këtyre dy liderëve.

“Kjo ka qenë edhe arsyeja pse Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka quajtur këtë fare reformë të sinqertë, por ka qenë pazar në mes të liderëve të partive më të mëdha politike, për arsye se ata u patën marrë vesh atëherë në vitin 2011 që të kalonte koha deri në shfrytëzimin e plotë të mandatit nga  Qeveria Thaçi dhe tash siç duket kemi një vullnet të të dyve, që zgjedhjet të mbahen para verës, mundësisht në muajin qershor”.

“Marrëveshja Thaçi-Mustafa ka qenë një gënjeshtër e madhe dhe do të duhej dikush të jepte përgjegjësi. E kam fjalën për 2011”.

“Ky ligj që po na vjen, nuk kemi të bëjmë me një ligj i cili është reformë zgjedhore por e tërë puna është reduktuar në plotësim dhe ndryshim të ligjit”.

Ndërkaq deputetja nga LDK, Alma Lama, mendon se ka një vonim të jashtëzakonshëm të reformë zgjedhore. Ajo thotë se Kryeministri Hashim Thaçi është fajtori më i madh që marrëveshja e 2011 nuk është respektuar.

“Nuk mendoj se është ngutje, mendoj se është vonim i jashtëzakonshëm i Reformës Zgjedhore, e cila është dashur të kryhet para shumë kohësh. Kemi ardhur në momentin final, dhe në fakt kanë kaluar të gjitha afatet sepse ligji nuk duhet të preket për 6 muaj para zgjedhjeve”.

“Siç e dini ne jemi për zgjedhje në muajin qershor kështu që jemi në limitet e kohës”.

“Duhet theksuar se marrëveshja nuk është respektuar dhe për këtë është fajtor Kryeministri. Por nga ana tjetër opozita asnjëherë nuk ka arritur ti bëj 61 vota që duhet ta rrëzojë Qeverinë”, ka thënë deputetja Alma Lama në një debat në RTV 21.