Reflektimi i Shpirtit

Partia e Fortë publikon Himnin e Partisë dhe të Politikës në Kosovë – “Do të bëhemi milionerë”. Kënga reflekton thelbin e Partisë dhe të ardhmen e lumtur për Kryetarin dhe Nënkryetarët e saj.

Lajme

28/10/2013 22:53

Partia e Fortë tashmë është bërë edhe me Himn, ndërsa brenda mandatit të parë parashikon që t’i bëjë edhe Milionat.

“Do të bëhemi milionerë” është kënga që reflekton thelbin e Partisë së Fortë, kanë pohuar sot zyrtarë të saj.

Dy Nënkryetarët e Partisë së Fortë, Genc Salihu dhe Ylli Rugova, kanë promovuar këngën përfaqësuese të subjektit të tyre, në një konferencë për media.

“Kjo këngë reflekton jo vetëm shpirtin e Partisë së Fortë, por edhe thelbin e të gjitha partive politike në Kosovë. Kënga reflekton çdo gjë që ka lidhje me politikanët në Kosovë. Është këngë që na e tregon rrugën e sigurt drejt milionave që na presin”, ka thënë Nënkryetari Yll Rugova.

Ai ka sqaruar shpejtësinë me të cilën do të vijnë milionat për të gjithë Nënkryetarët dhe familjarët e Partisë së Fortë.

Këto të dhëna, siç ka shpjeguar Rugova, janë nxjerrë bazuar në studimet empirike të politikanëve të sotëm.

“Të dhënat empirike nga tereni na bëjnë të qartë shpejtësinë me të cilën do të arrijmë milionat. Sipas konstantes TAG – Trajektorja Adem Grabovciane – mund të parashikojmë që me pasurinë mesatare që kemi sot, milionat do t’i arrijmë brenda këtij mandati”.

“Shumica e Nënkryetarëve të Partisë kanë deklaruar pasurinë pranë KQZ’së. Ndoshta ndonjëri mund të ndihet i turpëruar për faktin që ende familja nuk ka miliona. Por, në muajt në vijim askush s’ka për të qenë i turpëruar më”.

Nënkryetari Genc Salihu, ideator i ripunimit të kësaj kënge historike në kontekst të Kosovës së sotme, ka thënë se me muzikën është marrë qysh si fëmijë dhe ende nuk e kam as një milion të vetëm.

“Si shumë kolegë të mi, edhe unë po synoj që përmes angazhimit partiak e politik t’ia arrij qëllimit. Dhe jam i sigurt se do t’ia arrij.”

“Kënga e cila po rikthehet sot si një intervenim në jetën shoqërore e politike të Kosovës është kënduar fillimisht në vitin 1988 nga Adelina Ismaili”.

“Kjo këngë në atë kohë ka paralajmëruar një epokë të re shoqërore e politike që po vinte. Sot rikthimi i kësaj kënge sërish paralajmëron ardhjen e një kohe të re për Kosovën. Një kohe të re për ne si Nënkryetarë”.