​Reduktime të energjisë elektrike edhe sot

Të martën u raportua se ka ndërprerje të herë pas hershme të energjisë elektrike në disa rajone të Kosovës. Me sa duket janë rikthyer sërish reduktimet e energjisë elektrike në të gjithë vendin. Po thuajse në të gjitha komunat e Kosovës është raportuar për ndërprerje pa paralajmërim, ndonëse jo me orë të zgjatura. Kosova Press…

Lajme

16/08/2022 12:47

Të martën u raportua se ka ndërprerje të herë pas hershme të energjisë elektrike në disa rajone të Kosovës.

Me sa duket janë rikthyer sërish reduktimet e energjisë elektrike në të gjithë vendin. Po thuajse në të gjitha komunat e Kosovës është raportuar për ndërprerje pa paralajmërim, ndonëse jo me orë të zgjatura.

Kosova Press gjatë ditës ka kontaktuar zyrtarë të KEDS-it për të kuptuar se sa do të zgjasin reduktimet por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Pas njoftimeve nga KEDS-i se nga e hëna do të ketë reduktime të energjisë elektrike në të gjithë Kosovën, po të hënën pasdite Ministria e Ekonomisë njoftoi se është rikthyer furnizimi i rregullt me energji falë bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike. Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim.”, thuhej në komunikatën e djeshme të ME-së.

Furnizimi, sipas ME-së, po bëhet vetëm nga prodhimi vendor për shkak të çmimit të lartë të energjisë në bursat ndërkombëtare të energjisë, ku pjesa tjetër po importohet.

“Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës si reflektim i krizës botërore energjetike kërkon mirëkuptim dhe mobilizim të të gjithë faktorëve andaj krahas angazhimit që po e bëjnë institucionet përgjegjëse, këshillohet edhe kontributi i qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale për aq sa është e mundur”, thekson KOSTT.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT, ka njoftuar se si rrjedhojë e mosbalancës në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar për mbulim të konsumit nga operatorët përgjegjës në treg, janë shkaktuar imbalance/devijime të theksuara ndaj sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale, gjatë javëve dhe muajve të fundit.