Reciprociteti për targat i gjen të papërgatitur kosovarët, flet njëri që u dënua në Prizren

Një qytetar nga Prizreni (emër i njohur për redaksinë) është dënuar mëngjesin e sotëm nga policia e Kosovës për shkak të targave të Serbisë, të cilat thotë se i mban pasi udhëton shpesh për çështje pune.

Lajme

20/09/2021 14:39

I njëjti thekson se u ka bërë të ditur policëve se nuk kishte qenë në dijeni për masën e reciprocitetit në targa, por që nuk ishte marrë parasysh nga ata.

Dënimi prej 60 eurosh, që iu shqiptua sot për shkak të targave të Serbisë, për të është barrë pasi që thotë se sikur të kishte pas një njoftim paraprak do të udhëtonte të dielën për në Stamboll, për ku edhe thotë se është nisur.

“Polici më dha dënimin në vlerë prej 60 euro, por edhe më porositi që të mos i vendosi më përshkak se tha që nuk e dinë se çka po bëhet me të tilla raste. Më tha: ‘Mos i vendos prapë se se di çka ka me u bo, munden me ta konfisku krejt'”, thotë ai.

Me një vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës nuk po lejon asnjë veturë me targa të Serbisë që të hyjë në vend.

Ndërkohë që mëngjesin e sotëm në të gjitha pikat kufitare janë dërguar forca të shumta policore.

Poashtu patrulla të policisë janë parë edhe nëpër rrugët e Kosovës të cilët po kontrollonin veturat për targat që ata mbajnë.

Kujtojmë që Serbia ka disa vite që i detyron qytetarët e Kosovës që të bëjnë ndërrimin e targave të veturave me ato të përkohshme në mënyrë që të iu lejohet hyrja.