Receta e patates mbushur me perime, ushqimi që do iu bëjë të “lëpini gishtat”

18:13 | 28 Prill 2019

Patatja është pa diskutim një nga produktet më të përdoruara gjatë vitit, e sigurisht nuk mund të mungojë as në tryezën festive të Pashkës.

Pjatat që ju rekomandojmë janë super të thjeshta, të shijshme dhe në harmoni të plotë me ngjyrat e tryezës.

Përbërësit për 4 persona: 2 patate mesatare 2 kërpudha. 2 copa lulelakër kripë, piper dhe vaj ulliri.

Përgatitja: Patatet, pasi i kemi larë, i ziejmë në ujë me kripë me gjithë lëkurë. I presim përgjysmë për së gjati dhe ua boshatisim mesin me ndihmën e një thike. Në një tigan me gjalpë të nxehur, skuqim kërpudhat e prera hollë. Kur ato të kenë marrë ngjyrë, shtojmë lulelakrën e zier dhe pasi i skuqim për 2-3 minuta së bashku, i kalojmë në mikser ku shtojmë kripë e piper sipas dëshirës. Me masën e përgatitur mbushim patatet dhe i pjekim në 200 gradë për 20-30 minuta.

Patate e rreshkur në gjalpë: 2 patate, gjalpë, kripë e piper.

Përgatitja: Patatet i ziejmë me gjithë lëkurë në ujë me kripë. I qërojmë dhe i presim në kubikë. Në një tigan shkrijmë gjalpë dhe e lëmë të nxehet. Kur të jetë nxehur mirë, skuqim patatet ngadalë derisa të marrin ngjyrë të kuqërremtë. I rregullojmë me kripë e pipër. Kur patatet të jenë gati, i shërbejmë sipas dëshirës. /Living/