Realiteti i Okupuar

Temat e mirëfillta të qytetarëve të Kosovës, nuk kanë të bëjnë gjë prej gjëje me këtë çorodinë dhe gjurulldinë politike që ka okupuar realitetin e këtij vendi.

Opinion

11/06/2015 10:40

Roberto Bolanjo, një shkrimtar latino-amerikan që u bë i njohur në mbarë botën falë romanit të tij të jashtëzakonshëm “2666”  (veni ri, dyzimin e vitit 2000 me numrin 666, kodin e djallit në “Bibël”), pohon, me një rast, që ‘dukshmëria është fuqi e okupimit të realitetit, qoftë edhe të realitetit më ekstrem, më të skajshëm’.

Dukshmëria, imazhi, natyrisht, mund të prodhohet në mënyrë sintetike, Realiteti, duhet të ndryshohet dhe mund të ndryshohet, vetëm në mënyrë të vërtetë.

Relacioni i dukshmërisë artificiale dhe realitetit të vërtetë, rëndom dëfton për shkallën e mashtrimit në një shoqëri, në një vend, madje, në një familje dhe tek një individ. E ndryshimi i gjendjes në një vend, apo, i realitetit, nuk mund të bëhet dot pa çlirimin e tij prej dukshmërisë që fund e krye është iluzion dhe mashtrim.

Ta lëmë teorinë, dhe të shpjegojmë për çfarë në fakt po flitet këtu.

Çfarë përshtypje për politikën dhe shoqërinë kosovare, mund të krijojë, ta zëmë, një vizitor i rastit (i huaj), që ka një njohuri bazike për politikën, poqëse javëve të fundit ka qëndruar në Kosovë, dhe nëse ai nuk ka farë njohurie të veçantë për këtë vend, tej dukshmërisë që na shfaqet përditë në politikën e vendit, në mediat dhe në mbarë shoqërinë?

Do ta kishte goxha vështirë, ky vizitor, t’i shmanget konkludimeve që dëftojnë që është çështje ditës që këndejpari, do të pëlcasë një sherr i madh me tri prej katër shteteve fqinje, që mund të ketë madje edhe konflikte të armatosura, dhe që ky vend, poashtu, mund të ketë telashe të mëdha në relacionet me shtetet kryesore perëndimore, mbi të gjitha me SHBA-në.

Për çdo ditë të lume në Kosovë flasim me gjuhën që shquan konfliktet e vazhdueshme me Serbinë  (dihet pse, dhe këtu së paku, realiteti i mirëfilltë përkon me dukshmërinë, sepse kemi të bëjmë me një proces të ndërlikuar që synon normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve), me Malin e Zi  (tema e shenjimit të kufirit), me Maqedoninë  (tema e Kumanovës).

Pasiqë të gjithë mirremi vesh në politikë, dhe të gjithë jemi atdhetarë, atëherë, nuk kemi pse t’ia ‘delegojmë’ punët shtetërore institucioneve të shtetit të Kosovës. Apo jo.

Pastaj, për çdo ditë  (të lume), të gjithë ne tregojmë dijeni të pashembullt dhe të paparë të gjyqësisë vendore dhe ndërkombëtare, të Rendit Ndërkombëtarë në përgjithësi, të zhvillimeve në Evropë në veçanti, dhe patjetër, të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në, ku kjo e dyta duhet gjithsesi të mendojë dhe të veprojë ashtu si na intereson neve, edhe pse ndërtimi i një interesi të përbashkët politik në Kosovës, nuk po na ecën si duhet.

Këtu natyrisht flitet për mënyrën se si ne në politikën dhe në shoqërinë kosovare mirremi me temën gjithsesi të rëndë të themelimit të Gjykatës Speciale në Kosovë.

Pra, ana e dukshme, sipërfaqësore, e çdoditshme, e zhvillimeve politike në vend, mund të çojë në përfundim që Kosova është në një gjendje të jashtëzakonshme, që jemi të rrethuar (pothuaj), nga të gjitha anët me shtetet me të cilat jemi në konflikte të vazhdueshme, dhe që madje edhe SHBA-ja dhe shtetet më të mëdha perëndimore, që janë hisenike në çlirimin dhe në bërjen e shtetit të Kosovës, janë kthyer kundër nesh, edhe pse ende nuk e kemi marrë vesh pse kjo ka ndodhë.

Në përpjekjen tonë për tu përballur me këtë gjendje të jashtëzakonshme, arritëm të ‘mobilizojmë’ edhe Gjeneral Isa Boletinin për tu dukur disi më të fortë dhe më të organizuar.

Natyrisht, ana e dukshme kosovare, e cila ka okupuar njëmendësinë e vendit, shquhet edhe me atë klasiken komuniste shqiptare, ‘në gojë të ujkut ne hedhim valle’, duke mos ndalë fare çallgitë, këngët dhe selfitë e të të gjitha llojeve.

Kemi gajret. S’ka fjalë.

Nëse këtu sërish i kthehemi teorisë, ia vlenë të thuhet që Kosova, në thelbin e realitetit të vet tash e sa vjet e jeton periudhën Post-Heroike dhe Post-Tragjike.

Temat e mirëfillta të qytetarëve të Kosovës, nuk kanë të bëjnë gjë prej gjëje me këtë çorodinë dhe gjurulldinë politike që ka okupuar realitetin e këtij vendi.

I marrë, për ekonominë është fjala. Me këtë fjali, Bill Clinton i fitoi zgjedhjet presidenciale në Amerikë, në vitin 1992.

Mungesa e kësaj fjalie, po bë që ne, gjithnjë e më shumë, ta humbim lidhjen me realitetin në Kosovë.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)